E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Rama është më karavidhe se Majko, premtoi autostradë në det

olldashiMinistri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka komentuar dy deklaratat e kryetarit të opozitës, Edi Rama, bërë në qytetin e Vlorës. Rama premtoi Korridorin e Kaltër dhe deklaroi sërish se qeveria ka ndërtuar diçka më shumë se 1 mijë kilometra rrugë dhe jo 10 mijë.

Olldashi, duke shkruar në Facebook, thotë se Rama është më karavidhe se Pandeli Majko që pati premtuar tunel detar për të lidhur Vlorën me Otranton. Olldashi tha se Rama premtoi se do ndërtojë një autostradë në det.

I gjati me të shkurtrin udhëtuan sot drejt Vlorës ku i gjati llafosi prapë për rrugët. Fillimisht tha se kishte numëruar shtyllat. Por, Rama nuk na tha nëse në këtë numër ka përfshirë edhe veten dhe Gjushin, apo jo!

Pastaj tha se nuk kishte parë njeri duke punuar. Por, Ramës i ka dalë nga mendja se sot është e shtunë dhe dynjaja e ka pushim. Ka vetëm nje kantier në Shqipëri ku punohet edhe të shtunën, autostrada Tiranë- Elbasan. Zahmet e ka zoti Rama, le t’i bjerë andej në kthim dhe të shohë si punohet. Në mos, duhet të presë të hënën.

Pastaj molloisi për punë të kilometrave dhe tha se nuk janë 10 mijë, por një mijë dhe se Shqipëria nuk ka dhjete mije km rruge. Njeriu që do të bëhet kryeministër duhet të dije se në fakt vendi ka rreth 18 mijë kilometra rrugë, pra të shkojë në Tokio, të hajë drekë siç tha Rama, të kthehet dhe të shkojë prapë për darkë dhe, nëse Rama e bën këtë, mirë është të mos kthehet hiç.

Por, çudinë e madhe Rama e bëri gjetkë. Premtoi se do të ndërtoje një autostradë të kaltër, në det, nga Mali i Zi në Greqi. Ky ia kaloi edhe Pandi Majkos për guxim, nëse është guxim dhe jo gjë tjetër… Pandi tha dikur se do ndërtonte një tunel detar për të lidhur Vlorën me Otranton, ky do ndërtojë një autostradë detare gjashtë herë më të gjate se tuneli i Majkos. E kuptoni që ky është më karavidhe se Pandi i shkretë!!!

Gjithsesi unë nuk kuptoj një gjë: Pse nuk i mat rrugët ky njeri?! Listën e ka. Le ti masë dhe të na thotë sa janë. Ne themi që janë 10.237 kilometra, po ai le t’i masë vetë fundja. Do t’i dalin 5.118.5 Edë, ose 20.474 Vangjushë, shkruan Olldashi./ep

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›