Neri nero
Eginit, djalit të akademikut dhe politikanit Ner Ceka, lideri i opozitës së majtë, Edi Rama, me dorën e tij të djathtë i paska shkulur veshin e majtë në mes të Vjenës. Pas këtij incidenti të rëndë shqiptaro-shqiptar në tokë të huaj, Shqipëria nuk dremiti, klasa politike nuk vegjetoi, media nuk heshti, njerëzia shkundi tulatjen për një çast. Atdheu u gdhi i tronditur, diplomacia e ofenduar, çmimet e karburanteve u luhatën, kafenetë e bllokut u mbyllën, dritat dhe uji u ndërprenë, ndërkohë që akademikët dhe historianët u mpinë.
Petro Nini Luarasi, Migjeni, Van Dami, Marko Boçari, Hysen dhe Hasan Ceka, Lady Gaga, Salman Ruzhdi, Rihanna, Sinani, Rozana Radi dhe Greta Koçi zgërdhyen sytë nga habia dhe u mbyllën krejtësisht në vetvete.
Gazidedja i shikut përpëlitej në atë botë dhe ndjehej i turpëruar sesi i paskëshin dhunuar djalin e madh Ner Cekës, ky i fundit viktimë e atij të parafundit në kioskën e Fidelit gjatë vitit 1996. Doktor Berisha kishte folur me pathos në parlament duke bërë avokatinë e të birit të një prej viktimave të tij. Gramoz Ruçi debatonte me Berishën për vlerat e aristokracisë së vjetër e të re e ndërkohë vetë Neri, i cekët si ambasador në Itali, shkruajti me urgjencën e një recete mjeku, një letër e i kërkonte të kërkonte falje agresorit Edvin Kristaq Rama.
Nga Vjena lajmet vinin kontradiktore dhe zërave për një përplasje mes një politikani dhe një besimtari ekstremist mysliman ballkanas u kundërvihej dëshmia e një prej pastrueseve të sallës së mbledhjeve të Akademisë Politike Austriake:
-Një burrë i gjatë me mjekër ironizonte një djalë po me mjekër, i cili klithte me zë femëror duke acaruar veshët e disa të pranishmëve.
Vetë policia vjeneze duke mos pasur pamje filmike u detyrua ti tregonte pastrueses një foto të aktivistit shqiptar Kristi Pinderi për të bërë një krahasim të mundshëm. Pastruesja deponoi se personi në foto dukej më mashkull i egër se ai tjetri me syza, i cili si gore e keqe herë kërkonte llogari shqip e herë gjermanisht.
Prokuroria vendase pasi mundi të gjente se cili ishte i viktimizuari i tokës së shqiponjave, vuri nën përgjim telefonat e tij. Kur muzgu skuqi prillin e Vjenës, Egini vendosi ti telefononte babit në Romë. Por edhe shërbimet inteligjente italiane nuk qëndruan indiferente. Duke e listuar Eginin si një vaginë të mundshme terrorizmi nga ku mund të pjellë antikatolicizmi i tij organik, regjistruan edhe “ata” bisedën qurravitëse.
-Selam alekum babi. Ma dhjeu keq ai shoku yt, Ed Rama. Më degjeneroi e ma plasi keq ironinë në sy të diplomatëve të tjerë. Ndjehem i ofenduar sepse nuk munda dot t’ia them të gjitha ato që më kishte shkruar në e-mail kunati i Vishos së shik-ut. O ba, fol një herë me doktorin e më thuaj ça duhet të bëj?
Bab Neri nga ana tjetër e telefonit reagoi ftohtë fare. Plani B kishte ardhur në ambasadën e Romës qysh në mëngjes nga përtej detit.
-Bëhu burrë të keqen babi dhe do deklarosh që të ka kapë nga veshi i majtë. Ndjehu dy herë i turpëruar sepse ti e di se çfarë soji je ti nga nëna dhe nga mua. Ne jemi ajka e parisë së këtij vendi. Ne jemi nën e mbi lëkurë konservatorë e zengjinë. Jemi të djathtë dhe shkulja e veshit të majtë paska qenë tendencioze. Ne nuk na tjetërsoi dot as regjimi i Enver Hoxhës dhe as Berisha i parë. Ne jemi pinjollë të Petro Ninit, pavarësisht se ti ke bërë gjimnazin te Ismail Qemali. Nëna jote është mbesë e Migjenit të poezive të mjerimit, pavarësisht se ajo nuk ka oreks. Ne jemi vazhdues arkeologësh pavarësisht se ti dhe unë kemi bërë kërdinë mbi tokë. Ti ndjehu krenar edhe për sojin tonë, edhe për debatin me Ramën.
-Marshallah kurajo, maskarallëk sebep dua unë!- u lehtësua Egini në Vjenë. Neri në Romë vazhdoi ta këshillonte të birin:
-E mban mend Gini kur erdha unë në ’96 në shtëpi me tre dhëmbë të thyera, me një sy të nxirë, me dy çorapet e grisura dhe me një vrimë të hundës bllokuar nga koret e gjakut?
-Jazëk lanet, eh babi e mbaj mend!-psherëtiu Vjena.
-Deklaro që të ka dhunuar. Deklaro që të ka shkulur veshin, mjekrën, nderin. Deklaro që ka prekur me dorë Cekërinë, letërsinë, arkeologjinë, historinë, diplomacinë dhe aristokracinë. Deklarohu i dhunuar biri im. Mos harro se Berisha më shkërdheu brinjët e unë i qëndrova besnik. Përfitova unë, ti dhe familja. Karriera jonë nuk duhet të ndërpritet. Tashmë jemi të dy diplomatë karriere dhe ky vend ka nevojë ende për monstruozitetet tona. Në qershor Rama fiton dhe ne, nëse do shpallemi viktima si me Berishën, do vazhdojmë të mbetemi në pushtet. Dëgjoje babin Egin. Xhelati e adhuron dhe nuk shkëputet dot nga viktima. Mos u mërzit, bëje këtë gjë. Unë e kam aplikuar edhe me Ramiz Alinë, edhe me Sali Berishën, edhe me Fatos Nanon.
Mos ki turp. Fundja Petro Nini dhe Migjeni janë të vdekur. Nuk kanë veshë e sy ata. Nuk na dëgjojnë, as na shikojnë… Bëje Egin, bëje se karrierë ke për të bërë si babai yt me thinja në kokë e pa cipë në faqe!
*facebook.com/bledi.mane
twitter.com/blediMANE
