E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Rama u vodhi qytetarëve tokën tek parku “Rinia”



Toka në qendër të kryeqytetit, ku ngrihet kompleksi “Tajvan”, është tokë shtetërore dhe Edi Rama e ka shitur atë tek pronarët aktualë në mënyrë abuzive dhe korruptive. Kjo është akuza që ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, i ka bërë dje publikisht kreut të Bashkisë së Tiranës, duke publikuar njëkohësisht dhe dokumentacionin që vërteton këtë abuzim me pronën publike. Ministri Olldashi e ka cilësuar skandal të abuzimit kriminal me pushtetin dhe të vjedhjes së qytetarëve as më shumë e as më pak, por nga vetë kryetari i bashkisë, z. Edi Rama, shitjen e truallit me sipërfaqe 1310 m2. Ministri paraqiti për median një dokument i cili vërteton se z. Rama më datë 7 mars 2005 ka autorizuar një nëpunëse të bashkisë të lidhë një kontratë me shoqërinë “Tajvan”. Olldashi sqaroi se objekti i kontratës ishte shitja e një trualli prej 1310 m2 kësaj shoqërie, gjë që përbën një abuzim skandaloz me pushtetin dhe një rast të vjedhjes së hapur të pasurive të qytetarëve të Tiranës dhe qytetarëve shqiptarë. Duke iu referuar kontratës në fjalë, Olldashi tha se sipërfaqen publike prej 1310 m2, kryetari i bashkisë nga publike e ka kthyer në tokë të Besos, nga tokë e qytetarëve të Tiranës është shndërruar në një tokë të një njeriu të afërt të rrethit të z.Rama, një klienti frekuent të bashkisë, një miku financiar dhe politik të kryetarit të Partisë Socialiste. Duke iu përgjigjur pyetjes se a ka qenë në dijeni Bashkia e Tiranës që trualli është shtetëror? Olldashi sqaroi se në një shkresë të 9 marsit 2005 firmosur nga regjistruesi i Përgjithshëm i asaj kohe, Gazmend Zeneli, saktësohet se kjo pronë figuron shtetërore. Olldashi nënvizoi se kontrata e Ramës për “Tajvanin” është një shkelje e ligjit sepse ka të paktën dy shkelje flagrante të ligjit. I pari që është ligji i vitit 2005 për shitblerjen e trojeve neni 3 në të cilin thuhet: “Ndalohet shitja dhe shitblerja e trojeve publike deri sa të përfundoje kompensimi fizik i ish-pronarëve. Kalimi i trojeve të lira nga pronë shtetërore në pronë private lejohet vetëm në rastet që vijojnë; për ndërtimin e banesave me qëllim të lirimit të banesave të ish-pronarëve, dhe rasti i dytë është me vendim të Këshillit të Ministrave për shitje me synim investime shumë të rëndësishme për vendin. Olldashi sqaroi se pronari aktual, Besnik Sula, nuk ka bërë ndonjë banesë atje, por ka bërë një aktivitet fitim prurës. “Gjithashtu Tajvani nuk është ndonjë investim shumë i rëndësishëm për vendin duke qenë se në Tiranë ka të paktën 3 mijë kafene të tjera”. Duke theksuar se kjo rezulton një tokë shteti, Olldashi nënvizoi edhe një herë se Rama ka abuzuar me shitjen e saj. “Thënë më hapur është një dosje ku verifikohet dhe vërtetohet që nëpërmjet përdorimit të pushtetit për interesa thellësisht private kryetari i bashkisë u ka vjedhur qytetarëve të Tiranës 1310 m2 mu në zemër të kryeqytetit ose shprehur në vleftë lekësh i ka vjedhur 2.6 milionë euro, sepse kjo tokë i është shitur Besos me 120 mijë lekë të vjetra apo 12 mijë lekë të reja. Pra me më pak se 100 euro m2 mu në zemër të kryeqytetit. Kur vlera duhet të ishte minimalisht të paktën 2 mijë euro. Pra edhe në vlerë është vjedhur përveçse nuk ka pasur të drejtë ta shesë, ja ka shitur me një çmim qesharak duke bërë që qytetarëve të Tiranës t’i grabiten 2.6 milion euro ose 3.7 miliard lekë”, - tha Olldashi. Për t’ia bërë më të lehtë punën zotit Rama, ministri Olldashi e ka ftuar t’iu përgjigjet 7 pyetjeve që i zbardhin dosjen e detajuar dje prej tij.

Olldashi, 7 pyetje Ramës për “Tajvanin” Përse ka autorizuar shitjen e 1310 m 2 tokë shtetërore në parkun “Rinia”? A ka qenë në dijeni të faktit se toka që po shitej ishte pronë shteti? Për ç’interesa mafioze ka shkelur ligjin nr. 7980, të vitit 1995, nenin 3 për shitblerjen e tokës, i cili ndalon në mënyrë kategorike tjetërsimin e trojeve publike pa u mbyllur procesi i kompensimit të ish-pronarëve. Përse ka shkelur Kodin Civil i cili nuk e lejonte z. Rama të shiste një pronë që nuk ishte e vetja, pasi trualli, pronë shtetërore, nuk i ishte transferuar Bashkisë në vitin 2005, gjë që do të thotë se Rama nuk kishte asnjë të drejtë mbi të? Mbi ç’bazë të cilit akt ligjor u përcaktua çmimi 12 mijë lekë metri në parkun “Rinia”? Pse iu vodhën qytetarëve të Tiranës vetëm nga ky operacion i Ramës 2.6 milionë euro vlerë shitje trualli dhe disa dhjetëra milionë euro nëse llogaritet me vlerë ndërtimore? Në ç’mënyrë parashikon z. Rama të dëmshpërbleje 2.6 milionë euro ose 3.7 miliardë lekë pronë të qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, të cilat i ndau me Beso Sulën, pasi sigurisht duhet të përgjigjet për këtë. Sigurisht që do të përgjigjet një ditë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›