Situatë epidemie, 12 mijë raste në javë me grip sezonal
Në fillim të dhjetorit, në vendin tonë do të vijë kontingjenti prej 250 mijë dozash të vaksinave kundër virusit pandemik A/H1N1
Ka shënuar rritje numri i personave të prekur nga virusi pandemik A/H1N1, duke mbërritur në 169, ndërkohë që edhe ai sezonal shënon 12 mijë raste çdo javë. Pëllumb Pipero, drejtor i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, pohon se vendi ynë po kalon një situatë epidemie.
Ndërsa këshillon marrjen e vaksinës sezonale, Pipero thotë se në fillim të muajit dhjetor do të vijë kontingjenti i parë prej 250 mijë vaksinash kundër virusit pandemik A/H1N1.
Epidemia
Numri i pacientëve me grip stinor shkon në 10 - 12 mijë çdo javë. Drejtuesit e shëndetësisë tashmë thonë se jemi në një situatë epidemie, ndërkohë që është shënuar dhe rasti i parë i rëndë nga gripi sezonal, një djalë 15-vjeçar nga qyteti i Beratit. Por, sipas mjekëve, tashmë gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar.
Ashtu si dhe vendet fqinje që tashmë kanë marre kontigjentin e parë të vaksinave ndaj virusit A/H1N1, sipas drejtuesve të shëndetësisë, në fillim të dhjetorit në vendin tonë do të vijë kontingjenti prej 250 mijë dozash. Për sa i përket ndryshimit të planit të masave që ka marrë komiteti i pandemisë në vendin tonë, ato nuk do të ndryshojnë pavarësisht rritjes së numrit të prekurve nga gripi sezonal dhe virusi A/H1N1.
Gripet
Instituti i Shëndetit Publik raporton se 60% e të sëmurëve me influenca respiratore janë mbartës edhe të virusit A/H1N1 dhe 40% janë të prekur nga gripi stinor.
“Numri i të prekurve është 169 raste të konfirmuara, po kemi 409 raste të konfirmuara me influencën stinore”, - u shpreh drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero.
Sipas tij, gjatë kësaj jave numri i vizitave në spitale dhe poliklinika është shumë i lartë. Në shumë çerdhe, kopshte dhe shkolla është vënë re një rritje e numrit fëmijëve që nuk paraqiten, si pasojë e prekjes nga viruset e gripit stinor dhe të derrave.
Mjekët këshillojnë që në këto institucione të ruhet një higjienë maksimale dhe fëmijët të konsumojnë sa më shumë fruta dhe perime, por ky është vetëm fillimi. Specialistët parashikojnë se virusi A/ H1N1, por edhe ai stinor, pritet të arrijnë pikun në muajin shkurt.