Olldashi: Sot Rama duhet të ndiqet penalisht
TIRANË- Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, deklaroi dje në një intervistë televizive se kryetari i opozitës, Edi Rama, duhet të ndiqet penalisht për rrëzimin e rendit kushtetues. “Shpresoj që nesër institucionet e drejtësisë të fillojnë ndjekjen penale për kryetarin e opozitës, për thirrje për rrëzimin e rendit kushtetues, për dhunim të institucioneve... vrasje me paramendim i qytetarëve”, - tha mbrëmë Olldashi. Ministri i Transporteve theksoi se dialogu politik duhet të zhvillohet vetëm në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Olldashi shtoi se, prokuroria duhet të nisë kallëzimin për vrasje me paramendim sepse, sipas tij, tre viktimat e djeshme janë vrarë brenda protestës. Ministri i Transporteve foli edhe për makinën jeshile, që një grup protestuesish e futën me forcë brenda ambienteve të kryeministrisë, duke kapërcyer derën kryesore. Ai tha se kjo makinë ishte e ngarkuar me eksploziv.