Prokuroria nis hetimet për dhunën, sekuestrohen filmimet e Policisë
Tiranë- Ngjarja e djeshme ka alarmuar edhe Prokurorinë e Tiranës, drejtues të së cilës kanë ndjekur hap pas hapi zhvillimet e ngjarjes së djeshme dhe kanë kryer menjëherë veprimet e para në Spitalin Ushtarak. Një grup hetimor, i kryesuar nga prokurori i Rrethit Tiranë dhe me praninë e të paktën të paktën 5 prokurorëve të tjerë, kanë marrë në pyetje të gjithë të plagosurit, ndërsa në prani të ekspertëve kanë mundur të përcaktojnë edhe shkakun e plagosjes. Sipas të dhënave të para të hetimit, janë të paktën pesë persona civilë të plagosur me armë zjarri dhe 27 punonjës policie që janë dëmtuar me sende të forta në krye të detyrës. Oficerët e shumtë të policisë gjyqësore kanë marrë dëshmitë e policëve dhe civilëve të plagosur, të cilët kanë pohuar se ishin plagosur me armë zjarri. Ky fakt është konfirmuar edhe nga ekspertët mjeko-ligjorë të Spitalit Ushtarak, të cilët në prani të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore kanë bërë këqyrjen e plagëve që kanë marrë të plagosurit. Sipas të dhënave të para të ekspertizës, rezulton se të pestë personat kanë marrë plagë të shkaktuara nga armët e zjarrit, në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas hetuesve, nga kjo këqyrje e parë nuk mund të përcaktohet nëse plumbat kanë qenë të vërtetë, apo prej gome. Të dhënat tregojnë se plagët kanë qenë tejshpuese, por në dalje plumbat nuk kanë krijuar plagë të çrregullta, sikundër lënë plumbat e vërtetë. Një tjetër arsye, që sipas ekspertëve e bën të pamundur përcaktimin e llojit të plumbave dhe armëve të përdorura, ka të bëjë me mungesën e shenjave të djegies. Pasi këqyrën plagët e personave të plagosur, ekspertët thanë se nuk janë vërejtur shenja djegie, karakteristikë kjo e plumbave të vërtetë. Por edhe mjekët e Spitalit Ushtarak janë në dilemë për këtë çështje, pasi ata kanë mundur të vërtetojnë se plagët e shkaktuara janë me armë zjarri, por nuk janë të gjendje të thonë se kanë qenë plumba gome, apo predha luftarake. Për të dokumentuar ngjarjen, hetuesit kanë sekuestruar veshjet e të plagosurve, të cilat pritet t’i nënshtrohen një ekspertize më të specializuar, si dhe kanë marrë deklarimet e tyre për momentet kur ka ndodhur ngjarja. Gjithë procesi i dokumentimit të ngjarjes është bërë në situatë kaotike, për shkak të gjendjes emergjente që ka mbizotëruar në Spitalin Ushtarak deri në mbrëmjen e djeshme. Sipas të dhënave nga Prokuroria, mësohet se prokurorët dhe hetuesit fillimisht janë ndarë në dy grupe, ndërsa detyrat e tyre kanë qenë të përcaktuara qartë. Një prej grupeve të hetuesve e prokurorëve kishte si detyrë të identifikonte dhe merrte në pyetje të gjithë civilët e plagosur, të cilët deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme kanë qenë rreth 33 persona. Ndërsa grupi i dytë ka pasur si detyrë të identifikojë dhe marrë në pyetje për rrethanat e ngjarjes gjithë punonjësit e policisë të dëmtuar nga përleshja me protestuesit. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme hetuesit kanë mundur të intervistojnë të paktën 27 punonjës policie, që janë paraqitur në spital si të plagosur, ndërsa nesër pritet të regjistrohet edhe procedimi penal në lidhje me ngjarjen e rëndë që përfundoi me 3 të vdekur dhe rreth 50 të plagosur. Po dje, organi i akuzës ka sekuestruar edhe pamjet filmike të bëra nga policia rreth përleshjes së djeshme, të cilat pritet të hedhin dritë se kush qëlloi mbi protestuesit. Zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme tha se një pjesë e grupit hetimor është vendosur në vendin e ngjarjes, në mjediset pranë Kryeministrisë, me qëllim këqyrjen e vendit, evidentimin dhe sekuestrimin e çdo prove materiale që gjendet aty. “Krahas këtyre veprimeve, është kryer marrja e librave të gatishmërisë dhe plani i masave pranë Gardës së Republikës, si dhe kamerat e instaluara nga Policia e Shtetit në vendin e ngjarjes”- tha zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme. “Prokuroria Shqiptare garanton se është e impenjuar për një hetim objektiv, të plotë e të gjithanshëm të ngjarjeve të ditës së sotme, me qëllim individualizimin e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, jashtë ndikimit të çdo faktori politik”- përfundon deklarata zyrtare e Prokurorisë.
.