E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali në gjendje lufte, bilanci: 27 policë dhe 33 civilë të plagosur

Tiranë- Vetëm fare pak gjëra mund ta dallonin dje Spitalin Ushtarak nga një spital i një vendi në gjendje lufte. Të plagosur në çdo dhomë të urgjencës. Barela që lëviznin nga kati në kat, duke transportuar të dëmtuarit nga përleshja e djeshme me policinë. Të plagosur me armë zjarri, që transportoheshin në pavijone të veçanta, në varësi të plagëve të marra. Ndërsa hyrja e Spitalit për disa minuta u kthye në arenë përleshjesh mes familjarëve të të plagosurve dhe forcave të ushtrisë, që kishin marrë në mbrojtje godinën e spitalit. Lajmi se kishin humbur jetën dy nga protestuesit, alarmoi familjarët e shumtë që për orë të tërë pritën para derës për të marrë lajme rreth të afërmve të tyre që ndodheshin në urgjencën e Spitalit Ushtarak. Plot 27 punonjës policie dhe 33 civilë ishte bilanci i të plagosurve nga përleshja mes protestuesve dhe policisë përpara Kryeministrisë mesditën e djeshme. Nga momenti në moment, bilanci rëndohej me të plagosur që shtroheshin në gjendje të rëndë në reanimacion, ndërsa mjekët thanë se fillimisht dy e më pas tre nga protestuesit humbën jetën. Sipas shefit të urgjencës së Spitalit Ushtarak, Sami Koçeku, dy viktimat e para ishin vrarë me armë zjarri. Ky fakt u konfirmua edhe nga ekspertët mjekoligjorë gjatë këqyrjes së kufomave, ku kanë vërejtur se plagët kanë qenë tejshpuese. Por breshëritë e armëve të zjarrit konfirmohen edhe nga të plagosurit, disa prej të cilëve kishin mundur ta rimerrnin veten pas mjekimeve të para. Artes Dybeli, 23-vjeç, i plagosur në qafë, sipas mjekëve kishte edhe dy vrima të tjera plumbash në jakën e xhupit. I plagosuri, që është plagosur në qafë dhe fatmirësisht nuk ka pësuar dëmtime të tjera në rrugët e frymëmarrjes, thotë se ka qenë përpara Kryeministrisë i përfshirë nga turma, kur është qëlluar nga para, nga persona që nuk ka mundur t’i shohë. Të njëjtën gjë konfirmojnë edhe tre nga pesë të plagosurit e tjerë me armë zjarri, të cilët kanë qenë në pozicione të ndryshme nga njëri-tjetri, gjatë kohës kur janë plagosur. Ilia Qesku nga Saranda, i plagosur në kraharor me armë zjarri dhe Ilia Papa, po nga Saranda, i plagosur në krah, tregojnë se kanë qenë para Kryeministrisë kur janë qëlluar. Larg Kryeministrisë, pranë dy kullave në Bulevard, ka qenë edhe i plagosuri tjetër me armë zjarri, Erald Bisha.

Dëshmia e Artes Dybelit

Ky jeni plagosur?

Në pjesën e qafës, por sipas mjekëve nuk kam pasur dëmtime serioze.

Me çfarë jeni plagosur?

Sipas mjekëve jam plagosur me armë zjarri. Plumbi ka hyrë këtu (tregon me dorë pjesën djathtë të qafës) dhe ka dalë. Mësova se në jakën e xhupit kam pasur edhe dy vrima të tjera të bëra nga plumbat.

Si u përfshitë në protestë?

Sapo kisha mbaruar punën dhe po kaloja në bulevard. Për shkak të turmës, u gjenda përballë Kryeministrisë, aty dhe më kanë qëlluar.

E patë kush ju qëlloi?

Jo, nuk munda ta shihja, di që kam ndjerë rrjedhjen e gjakut dhe më pas më morën dhe më sollën në spital.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›