E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-partive: Kthejuni urgjentisht dialogut. Duhet qetësi dhe maturi

TIRANË- Në kushtet kur situata përballë kryeministrisë kishte dalë jashtë kontrollit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përmes një deklarate për shtyp, i ka kërkuar forcave politike që t’i rikthehen urgjentisht dialogut. Presidenti i Republikës i ka kërkuar drejtuesve të forcave politike që të marrin përgjegjësitë politike, për ruajtjen e stabilitetit të vendit. Thirrja e kreut të shtetit përmblidhej në dy fjalë: qetësi dhe maturi. “Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi po ndjek me shqetësim të jashtëzakonshëm situatën e krijuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Presidenti i Republikës bën thirrje për qetësi dhe maturi! U bën thirrje të gjithë faktorëve politikë, që të qetësojnë demonstruesit dhe të garantojnë sa më shpejt të jetë e mundur rikthimin e rendit publik dhe mbështetjen e forcave të policisë, që të garantojnë ruajtjen e rendit, të institucioneve shtetërore dhe në mënyrë të veçantë, qetësinë dhe sigurinë e jetës së qytetarëve”, - thuhet në deklaratën për mediat, e lëshuar dje nga Presidenti i Republikës. Kreu i Shtetit u bëri thirrje faktorëve politikë t’i rikthehen urgjentisht dialogut. “Shqipëria ka nevojë të shërojë plagët, jo të hapë plagë të reja!”, - tha dje Topi. Kjo ishte deklarata e parë e lëshuar dje nga përfaqësuesit e lartë të shtetit, pas situatës katastrofale të krijuar para Kryeministrisë, si pasojë e demonstratës së zhvilluar nga opozita.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›