E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Ta bëjmë botën akademike pjesë të forumeve të PD

olldashi 2Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, njëherësh ministër i Transporteve, Sokol Olldashi zhvilloi një takim me anëtarë të Partisë Demokratike në Tropojë dhe Has. Gjatë fjalës së tij, Olldashi tha se duhet bërë përpjekje për të bërë pjesë të PD-së, figura nga bota akademike e vendit.
Deklarata
Sipas Olldashi përfshirja e akademikëve në PD do të bëjë të partinë më konkurruese dhe aktivistët më të motivuar për të pasur karrierë politike. Në momentin që vendosim një mekanizëm përgjegjësie për të gjithë piramidën strukturiale të Partisë Demokratike, duhet patjetër të konsolidojmë një mekanizëm karriere. Në qytetet e mëdha ndodh fenomeni i flukseve anësore në parti, për të cilat ajo ka nevojë dhe që vijnë nga shoqëria civile dhe bota akademike. Por nëse i bëjmë këto fluks dominante, militantëve që konkurrojnë brenda strukturave të Partisë Demokratike ne ua zbehim motivin. Nëse ne do të duhet të fusim boten akademike në parti, duhet që ta nxisim atë që të bëhet pjese e forumeve dhe konkurrencës së brendshme , sepse kështu rrisim përfaqësimin tonë dhe e bëjmë partinë më konkurruese dhe aktivistët më të motivuar për karrierë politike, theksoi Olldashi. Në vijim, Sokol Olldashi tha se gjëja më e vështirë do të jetë pikërisht zëvendësimi i Berishës, pasi sipas tij, çdo arritje në këto 23 vite në Shqipëri, lidhet me emrin e Sali Berishës. Vështirësia është dita pas garës, pasi duhet të zëvendësojmë një figurë historike që e themeloi këtë parti dhe e drejtoi për 23 vite. Çdo arritje e Shqipërisë në këto 23 vite është e lidhur me Partinë Demokratike që themeloi Sali Berisha, tha Olldashi. Në përfundim, Olldashi tha se PD do të përballet me një mazhorancë në numër shumë të madhe, por sipas tij, lehtësisht të thyeshme. Ai ka kërkuar forcimin e PD-së, në mënyrë që të jetë opozita më e fortë e parë ndonjëherë në vend, për të ardhur sa më shpejt në pushtet.
 
Agron Tufa: PD ka tradhtuar të djathtën
Shkrimtari njëherësh edhe Drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa në një intervistë të dhënë për Deutsche Welle, shprehet se PD ka tradhtuar të djathtën duke u zhvendosur nga misioni i saj historik. Të marrim elitat politike në radhët e PD-së. Mendoj se i kanë ikur misionit historik që duhej të merrnin mbi vete, si përfaqësues të së djathtës, për tu marrë seriozisht me plagët e shtresës së të persekutuarve të regjimit komunist. Kanë zvarritur dhe trajtuar shkel e shko problemet e pronarëve të vërtetë, në një kohë që nuk ju falet mosmiratimi ende i një ligji efikas për lustracionin, duke e lënë Shqipërinë si vendin e vetëm ish komunist pa një ligj të tillë, shprehet Tufa. Në vijim, Agron Tufa shprehet se sa i takon elitave të krahut të majtë, ato për shumë kohë kanë qenë afër trashëgimisë komuniste të ish Partisë së Punës. Ata janë treguar alergjikë për të folur për të shkuarën diktatoriale të Shqipërisë dhe kanë bërë rolin refraktar në demokratizimin e vendit. Vetëm në këto dy vitet e fundit, diçka kanë nisur të marrin seriozisht në rivlerësimin e së shkuarës. Dëshira e të dy krahëve të politikës mendoj se është rruga e lehtë për tek pushteti, mbajtja për një kohë të gjatë e tij dhe përfitime sa më shumë nëpërmjet korrupsionit. Këto janë pengesa thelbësore për demokratizimin e brendshëm të partive kryesore, për qarkullimin e elitave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›