E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Tuneli Thirrë – Kalimash po progreson në termat kohorë

Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi vlerësoi gjatë një inspektimi në tunelin Thirrë-Kalimash, progresin e bërë në ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Ministri Olldashi cilësoi se "rruga po progreson në termat kohorë të përcaktuar dhe kështu do të vazhdojë deri në muajin Qershor". Pas inspektimit të punimeve në tunelin Thirrë-Kalimash, 5,5 km të gjatë, ai deklaroi se "kjo rrugë është një korridor shumë i rendësishëm si për Kosovën dhe Shqipërinë, ashtu dhe për rajonin". Ministri i PPTT-së, Sokol Olldashi shoqëroi një grup ministrash të qeverisë së Republikës së Kosovës që ndodhen për një vizitë zyrtare në Tiranë, për të inspektuar punimet në këtë segement të autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Punimet në tunelin e Kalimashit, pjesë e saj, po ecin normalisht. Deri tani është realizuar mbi 80 % e volimit të punimeve, që vijojnë në të gjithë gjatësinë e rrugës prej 61 km, në të 29 urat, prej të cilave, në 16 ura, kanë përfunduar. Segmenti Rrëshen-Kalimash është pjesë e autostradës Durrës-Morinë, 170 km e gjatë, e cila lidh bregun e Adriatikut me kufirin e Kosovës dhe rajonin. Ndërtimi i këtij segmenti rrugor është mjaft i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, pasi lidh tregjet e Europës Juglindore me rrugët kryesore ndërkombëtare detare, nëpërmjet portit të Adriatikut në Durrës. Punimet për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë pritet të përfundojnë në mesin e muajit qershor të këtij viti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›