E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të jetosh dhe të shkruash para syve të censorit

Ismail Kadaré, shkrimtari ynë i rangut botëror pritet të ketë sot një takim të hapur me simpatizantët e vet në Zyrih, të cilët tashmë kanë në duart e tyre një koleksion të ri veprash, të përkthyera në gjermanisht nga Joakim Rym

Ismail Kadare është 73 vjeçar. Më shumë se gjysmën e jetës së vet e kaloi nën diktaturë, e cila llogaritet ndër më të këqijat në historinë njerëzore: në stalinizmin shqiptar. Stalini i shqiptarëve quhej Enver Hoxha dhe sundoi më shumë se mësuesi i tij sovjetik: nga viti 1945 deri në vitin 1985. Socializmi shqiptar dallohej nga mënyra e sundimit në krahasim me vendet tjera të bllokut lindor. Ai shquhej prej një primitivizmi më të madh, humbjeje realiteti në rritje dhe rrëshqitje të befasueshme në linjën politike. Vendi i vogël, që sot ka 3,1 milionë banorë, i lejoi vetes t´i prishë marrëdhëniet me fqinjin e madh Jugosllavinë (1948), pastaj me superfuqinë Bashkimin Sovjetik(1961) dhe më në fund me Kinën (1978), aleatin e fundit.

Prishjet e marrëdhënieve u bënë gjithmonë për shkaqe ideologjike (ishin tunduar nga mëkati i "reformave”) dhe kishin pasoja katastrofale ekonomike. Në fund Shqipëria mbeti e vetmuar kundër krejt botës, një strehë vorfnore, ku kishat dhe xhamitë u rrënuan, por u ndërtuan 600 mijë bunkerë kundër armiqve eventualë. Vetëm një gjë funksiononte më së miri: sundimi terrorizues nga brenda, i ndërtuar nga thashethemet, denoncimet dhe arbitrariteti. Çdo shqiptar, nga bariu i vogël deri te zëvendësi i Hoxhës çdo ditë zgjoheshin duke e pasur të qartë se të njëjtën ditë mund edhe të akuzohej e gjykohej për një delikt të shpikur. Çdo dy vite përshkonin vendin valë të spastrimeve.

Për këtë frikë konstante dhe deformime që ndikonin në raportet në mes njerëzve flasin shumë romane të Kadaresë, pjesërisht të veshur me rrobë historike të transportuar në një mbretëri përrallore osmane (që kishte sunduar Shqipërinë katër shekuj), pjesërisht direkt dhe pa doreza. Nga viti 1963 që kur doli romani i tij i parë "Gjenerali i ushtrisë së vdekur“ deri në vitin 1990, kur braktisi Shqipërinë, shkroi Kadare me censorin pas koke. 

Sukseset e hershme jashtë vendit 

Se Kadare pati një liri për rrethanat shqiptare, pa dyshim ka të bëjë me suksesin e tij të hershëm jashtë vendit. "Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u përkthye menjëherë dhe pastaj u bë filmi me Marçello Mastroianin dhe Mishel Pikoli. Enver Hoxha ishte një tiran paranojak dhe një vrasës i paskrupullt, mirëpo ishte edhe vanitoz. Shkrimtarin që kishte sjellë Shqipërinë në radarin perëndimor, nuk dëshironte ta prekte. Ndoshta një gur të madh kishte lëshuar Kadare në dërrasën e diktatorit qysh nga romani "Dimri i madh”, ku trajton prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe ku Hoxha luan një rol të rëndësishëm si figurë historike. Aty pa diktatori një copë pavdekshmërie - së paku kështu deklaron Kadare dhe prandaj mbeti i pa prekur...

Nuk ka dyshim se Kadare ishte në parlamenin shqiptar, që ishte parlament sa për sy e faqe. Mirëpo aty e kishin deleguar ata: të refuzosh ishte e pamundur, mendon ai. Në vitin 1975 humbi hirin, iu ndaluan botimet dhe u syrgjynos në fshat. Privilegjet që pati më parë dhe më vonë i përdori për t´i dhënë lexuesve shqiptarë diçka tjetër, e jo pionier të qeshur e ushtarë fytyrëngrysur.

Para së gjithash Kadare ishte i aftë ta reflektojë aktin delikat të ekuilibrit në mënyrë letrare. Të martën më 24.02.09 lexon Kadare nga libri i tij në “Kaufleuten” me ftesën e “Tagesanzeiger” dhe Orell Füssli. Leximi në gjermanisht: Joachim Röhm. Bisedën në gjuhën frënge do ta bëjë Martin Ebel. Posaçërisht për lexim rekomandohen: «Gjenerali i ushtrisë së vdekur», «Kronikë në gurë», “Pallati i lotëve” (ndoshta duhet të jetë i ëndrrave), “Pasardhësi” (të gjitha romanet të përkthyer nga Joachim Röhm dhe të botuar në Ammann-Verlag). Vepra e tij është përkthyer në mbi 60 gjuhë të huaja dhe në vitin 2005 fitoi çmimin “International Man Booker Prize”, pas Çmimit Nobel njëri nga çmimet më të rëndësishme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›