Qeveria do të financojë pajisjen e godinës së hotelerisë së shtëpisë së lindjes në Durrës

"Qeveria shqiptare do të financojë pajisjen e godinës së re të hotelerisë së shtëpisë së lindjes në spitalin rajonal të Durrësit", tha sot ministrja e Shëndetsisë, Anila Godo, e cila mori pjesë në analizën vjetore të Drejtorisë së Shëndetit Parësor të qarkut. Duke iu përgjigjur interesimit të mediave znj. Godo tha se 'hapja e shërbimeve të reja shëndetësore në spitalin rajonal dhe riorganizimi i këtij spitali sipas standardeve evropiane nxiten dhe mbështeten nga ministria e Shëndetësisë". Sipas saj, në spitalet e të gjithë vendit tashmë thuajse nuk ekziston problemi i mungesës së medikamenteve mjekësore. Drejtoresha e Shëndetit Parësor të qarkut, Lida Boshku, tha se "gjatë vitit 2008 janë kryer 249208 vizita mjeksore gjithsej, në të cilat përfshihen vizitat pediatrike, ato për të rritur si dhe shërbimi i konsultoreve. Në 18 Qendrat shëndetësore të rrethit të Durrësit punojnë 470 punonjës, nga të cilët 138 janë mjekë", nënvizoi Boshku duke shtuar se vdekshmëria foshnjore gjatë vitit 2008 ka rënë në shfrat 7.3 për mijë nga 13 për mijë në vitin 2007. Gjatë analizës vjetore u vlerësua përvoja pozitive në përcjelljen e informacionit për edukimin shëndetësor të të rinjve në çështjen e alkolit, drogës, duhanit dhe HIV.
...