E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: “Tuneli i Thirrës nën kontroll, po shkon drejt stabilizimit”



TIRANË – “Situata në tunelin e Thirrës konsiderohet nën kontroll të plotë dhe drejt stabilizimit”. Kështu u shpreh dje ministri i Transporteve, zoti Sokol Olldashi, menjëherë pas deklaratës që bëri Partia Socialiste. “Në sajë të masave emergjente të marra, në respekt të udhëzimeve të ekspertëve, galeria e veriut është siguruar në gjendje të qëndrueshme dhe ajo e jugut (ku ndodhi rrëshqitja) ka një përmirësim të ndjeshëm”, - tha Olldashi në deklaratën e tij. Sipas tij, “kontraktori (Bechtel&Enka, - shën. red.) së shpejti do të fillojë implementimin e projektit të ri për stabilizimin dhe zgjidhjen definitive të galerisë jugore në bazë të rekomandimeve të ekspertëve të pavarur të angazhuar për zgjidhjen e situatës”. Kreu i Ministrisë së Transporteve theksoi se fenomeni gjeologjik i tunelit të Thirrës ka qenë i paparashikueshëm, por jo i panjohur. Ministri i Transporteve ka sqaruar edhe masat që janë marrë nga kompania ndërtuese. “Përforcuam paretet në 250 metra të galerisë veriore për të evituar efektet e mundshme që mund të shkaktonte në të galeria paralele; përforcuam zonat e riskut me fasha betoni, të projektuara mbi fibra metalike”, - tha Olldashi. Ai theksoi se zona problematike është vetëm 50 metra, në një gjatësi prej gati 12 mijë metrash, që është totali i tunelit, ose e shprehur në përqindje, në vetëm 0.4 për qind të tunelit.

Kur do të mbarojë rruga: në 2009-n, apo në 2010-n?

Ndërtimi i Rrugës së Kombit është parashikuar për të mbaruar për një periudhë rreth 30 muaj. Tashmë afati i përcaktuar në kontratë ka mbaruar. Në bazë të marrëveshjes që qeveria shqiptare ka lidhur me konsorciumin “Bechtel&Enka”, segmenti “Rrëshen-Kalimash” do të duhej të përfundonte deri në korrik të vitit 2009. Një gjë e tillë konfirmohet në skedën e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacioneve. (Shih skedën e rrugës.) Ky aks u tha para zgjedhjeve se do të përfundojë në muajin shtator, pasi kishte pak punë edhe tuneli tjetër. Por, zyrtarisht, përfaqësuesi i kompanisë amerikane, në takimin me deputetët socialistë, tha se janë të kontraktuar nga qeveria shqiptare deri në verën e vitit 2010. Duke iu referuar kontratës që kompania ndërtuese ka bërë me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, thuhet se në rast të mospërfundimit në kohë të objektit, kompania do të paguajë një gjobë të majme. Të njëjtat penalizime ka edhe qeveria shqiptare nëse nuk respekton kushtet me konsorciumin “Bechtel&Enka”. Por tashmë janë shkelur të gjitha afatet e përcaktuara në kontratën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për objektin më të madh infrastrukturor në vend dhe nuk dihet nëse qeveria apo kompania ndërtuese do të paguajë vonesat, apo do të jenë sërish shqiptarët ata që do të paguajnë kosto të tjera për këtë objekt.

SKEDA E RRUGËS (MPPTT)

Vendndodhja: Shqipëri
Klienti: Drejtoria Përgjithshme e Rrugëve Qeveria shqiptare
Kontraktori: Bechtel & Enka Joint Venture (ëëë.bechtel.com dhe www.enka.com)
Fusha e shërbimit: Menaxhim ndërtimesh
Kohëzgjatja e projektit 2006 - 2009
Tipare kryesore: gjatësia: 60.85 km (5.53 km tunel)
Tipi: 4-korsi autostradë
Shpejtësia e planifikuar: 80 -100 km/orë
Ura: 27 copë në total
Afro 4.5 km rrugë do të jetë mbi ura dhe struktura
Deri në 80 metra lartësi
Ndërtuar nga trarë të gjatë të betonuar 38 m
Rruga: 2 korsi në çdo drejtim plus shpatulla të fuqishme
3,75 m linja gjatësi
2 m shpatull e fortë
Burimi: (http://www.mpptt.gov.al)

17 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›