E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: “PS-ja gënjen, dokumentet nuk janë të kontratës bazë”



Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i ka cilësuar të gënjeshtra deklarimet e ardhura nga Partia Socialiste. Olldashi tha se afati i përcaktuar për hapjen e tunelit verën e vitit 2010 është një shtesë kontrate, por nuk është kontrata bazë, e cila, sipas tij, ka pasur të bëjë me qershorin e 2009-s. “Ajo që thotë Partia Socialiste është një gënjeshtër. Afati i përcaktuar për hapjen e tunelit verën e vitit 2010 është një shtesë kontrate, ajo nuk është kontrata bazë. Kontrata bazë ka qenë për në qershor të vitit 2009. Duke pasur fenomene në galerinë e jugut, të njohura nga ne, por të paparashikueshme për Institutin e Bolonjës, bëhej fjalë për një shtresë gjeologjike që ka defekte milionavjeçare të ndodhura përgjatë gjithë historisë së vet, ne parashikuam një shtesë kontrate për punime suplementare për në tunelin e jugut. Ndërkohë, në tunelin e veriut, ky fenomen nuk ka ekzistuar, ose ka ekzistuar përkujdesja jonë që të mbahej në monitorim se mos fenomeni që ndodhte në galerinë jugore mund të afektonte edhe galerinë paralele. Por është mbajtur gjithmonë në monitorim dhe në kontroll të vazhdueshëm, dhe për asnjë sekondë nuk ka pasur shqetësime. Ndërkohë që galeria jugore, sikurse e dini, nuk ka qenë e hapur as edhe një ditë të vetme për publikun. Pra edhe njëherë, afati i vendosur në verën e 2010-s është një afat që është përcaktuar me shtesën e kontratës, dhe jo me kontratën fillestare”, - u shpreh Olldashi. Ai tha gjithashtu se në tunel nuk ka pasur shembje të reja dhe se situata është drejt stabilizimit. “Jo, nuk ka shembje të reja. Pavarësisht dëshirës së flaktë të eksponentëve të Partisë Socialiste për të dëgjuar për shembje të reja, shpresoj që nuk do ta kenë më këtë fat. Dhe unë do t’ju ftoja ju që t’i thoshit zotit Rama që të dalë një herë në emisionin e Enkel Demit për të hapur atje një kuti, pasi një herë do t’i dalë Gjiknuri, Saimir Tahiri, Erion Braçe dhe një herë Ed Shalsi. Dhe mbasi t’i hapë të gjitha, le të zërë mend se tuneli nuk prishet me fjalë”, - tha Olldashi.

17 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›