E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Unaza e Madhe, gati në pranverë të 2012-ës

Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi gjatë inspektimeve të punimeve të Unazës së Madhe të Tiranës dje deklaroi se ky segment do të përfundojë më herët se parashikimet. Sipas tij, ajo do të jetë gati për trafikun në pranverë 2012, ndërsa ishte parashikuar në fund të vitit që vjen. “Jemi në pikën lidhëse të dy projekteve që ne kemi në zhvillim e sipër me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, pra në pikën ku takohet njëri lot i Unazës së Madhe të Tiranës dhe ku fillon autostrada Tiranë–Elbasan. Projekti parashikohet të mbarojë në fund të vitit 2012, por me ritmet që kemi, jam i bindur që në fundin e pranverës së vitit tjetër projektet do të jenë të hapura dhe të kalueshme për trafikun transit nga Tirana në drejtim të Elbasanit, si dhe segmenti prej 3.1 km i Unazës së Madhe të Tiranës”, - tha ministri Olldashi. Sipas tij, me vënien në funksionim të këtyre dy kontratave; të lotit të Unazës së Madhe dhe të lotit të parë të autostradës Tiranë-Elbasan, do t’i jepet një lehtësim shumë i madh tranzitit të mallrave dhe të njerëzve, një lehtësim që do të përshpejtohet edhe më tej me vazhdimin e loteve të tjera të autostradës Tiranë –Elbasan. Ministri Olldashi informoi se procedura e tenderit në pjesët e tjera të autostradës është në vazhdim e sipër, ndërkohë që theksoi se ecuria e tunelit të Krrabës është shumë e mirë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›