BB: Shqipëria më e rrezikuara në rajon për borxhin
Sipas dokumentit të ri të Bankës Botërore “Raporti i Rregullt Ekonomik mbi Evropën Juglindore” (SEE RER), publikuar dje, Shqipëria rrezikon nga kriza në eurozonë për shkak të borxhit të saj publik që aktualisht matet në nivelin e 59,6 %. Parashikimet e BB tregojnë për një rritje ekonomike prej 2,1% në vitin 2012
Banka Botërore në raportin më të fundit për zhvillimet ekonomike në gjashtë vendet e Europës Juglindore thekson se Shqipëria ka borxhin publik më të lartë në vendet e rajonit dhe një përkeqësim i mundshëm në vendet e eurozonës mund të prekë negativisht vendin tonë. “Pjesa më e madhe e vendeve të EJL6-ës kanë përfshirë në parashikimet e tyre fiskale për vitin 2012 një përshpejtim të veprimtarisë ekonomike. Megjithatë, në rast të trazirave më të mëdha, rritja ekonomike do të ndikohet ndjeshëm dhe do ushtrojë trysni të reja në llogaritë fiskale. Njësoj si gjatë krizës së vitit 2009, rritja ekonomike dhe performanca fiskale ka shumë gjasa të jenë heterogjene. Megjithatë, shenjat e kohëve të fundit të një rritjeje ekonomike më të dobët në Shqipëri dhe niveli i saj i borxhit relativisht të lartë nënkupton se edhe Shqipëria kësaj here mund të preket negativisht. Ndërsa duket se ka vend për huamarrje të brendshme, kjo mund të shkaktojë tkurrje të financimeve për sektorin privat. Aksesi ndaj tregjeve të jashtme do të vijojë të mbetet i vështirë. Për vendet me kurse fikse shkëmbimi, nxitja e kërkesës do t‘i mbajë lart deficitet tregtare dhe mund të vërë në rrezik stabilitetin makro-ekonomik”, - citohet në faqen 40 të raportit të Bankës Botërore. Raporti i Bankës Botërore nxjerr në pah se Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të borxhit publik në rajon dhe nënvizon se vendi është shumë pranë zonës së riskut të lartë të borxhit. Aktualisht borxhi publik i Shqipërisë llogaritet 59. 6 %, ndërsa deficiti buxhetor në fund të muajit tetor 2011 është rreth 4 %. Kryeekonomisti i BB-së Erion Luci theksoi se investimet e huaja direkte në rajon janë dobësuar, ndërkohë që borxhi publik dhe deficiti fiskal ka shënuar nivelin e kufirit të lejuar. "Me përjashtim të Kosovës, asnjë vend nuk ka depozita të mëdha për të tërhequr. Prandaj, disa vende duhet të përshpejtojnë konsolidimin fiskal, me faturat e pensioneve dhe pagave që janë fushat e rëndësishme të fokusimit", citon raporti. Por, edhe pse bankat në rajon janë likuide me baza kapitale të shëndosha, raporti thekson se bankave iu janë rritur kreditë e këqija. Për sa i përket rritjes ekonomike për 2012, parashikimet e Bankës Botërore janë për një nivel rritjeje prej 2,1 % ashtu si edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ndryshe nga parashikimet e qeverisë shqiptare, e cila për 2012-ën ka parashikuar një rritje ekonomike prej 4 %. “Parashikimet tona për rritjen ekonomike në këtë rajon janë prej 2.5 për qind në vitin 2011 dhe 2.1 për qind në 2012”, thotë Ron Hood, Kryeekonomist në Sektorin e Bankës Botërore për Uljen e Varfërisë dhe Menaxhimin Ekonomik dhe autor kryesor i raportit. “Megjithatë, edhe këto parashikime rritjeje modeste supozojnë që kriza e eurozonës të zgjidhet në mënyrë të rregullt. Nëse kriza do të përkeqësohet, rritja ekonomike në këto vende mund të jetë shumë më e keqe”, - vijon ai. Hood gjykon se tregtia me BE-në është një shtysë kryesore e eksporteve dhe rritjes së përgjithshme ekonomike për vendet e SEE6, duke përbërë nga 30 për qind deri në pothuajse gjysmën e GDP së tyre. Sipas tij, bankat në rajon janë likuide dhe bazat e kapitalit bankar rezultojnë të shëndetshme. Ndërsa Jane Armitage, Drejtoresha e Bankës Botërore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore, u shpreh se "rritja e ardhshme ekonomike do të duhet të ketë një shtysë më të madhe nga investimet dhe përmirësimet në produktivitet që përmirësojnë konkurrueshmërinë dhe kapacitetin prodhues, më shumë se konsumi i financuar nga jashtë dhe investimet në prona të paluajtshme dhe asete të tjera flluskë". "Vendet në Evropën Juglindore kanë nevojë të adresojnë sfidat e zgjatura të reformave strukturore. Kjo do t’u lejojë atyre të përfitojnë më mirë nga aksesi në tregje, hyrjet e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, financimi bankar dhe remitancat, të cilat i ofron integrimi më i afërt me BE", tha ajo. Në videokonferencën e organizuar me gazetarë nga të 6 vendet e rajonit, u theksua se pavarësisht trazirave në eurozonë synimi mbetet integrimi europian dhe rritja e konsumit vendas.