E Shtunë, 31 Tetor 2026

BERZH: Shqipëria të forcojë kontrollin mbi borxhin

Edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim i rekomandon qeverisë shqiptare uljen e borxhit. Në raportin më të fundit të kësaj banke të publikuar dje, BERZH në vlerësimin vendin tonë konstaton se vendit i nevojiten masa të mëtejshme fiskale për stabilizimin makroekonomik.“Është e rëndësishme për Shqipërinë që ta mbajë borxhin publik nën 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe ngadalësimi i ekonomisë mund të kërkojë shkurtim të mëtejshëm të shpenzimeve për ta mbajtur huamarrjen nën kontroll”, - citohet në raport. Raporti i BERZH-it përmban parashikim pesimist për ecurinë e ekonomisë shqiptare në vitet 2011 dhe 2012, kur pritet një ngadalësim i mëtejshëm i ekonomisë, si rrjedhojë e krizës në disa prej tregjeve më të rëndësishme europiane. BERZH projekton për vitin 2011 një rritje ekonomike 1.9%, ndërsa për vitin e ardhshëm një rritje akoma më të ulët. Ndonëse deri tani efektet vlerësohen si të kufizuara, raporti vlerëson se marrëdhëniet e ngushta ekonomike dhe tregtare me Greqinë dhe Italinë mund të japin pasoja në ekonominë reale shqiptare në një afat të shkurtër. Sipas BERZH-it, sistemi bankar deri tani i ka rezistuar mirë krizës, por euroizimi i lartë i ekonomisë dhe pjesa e madhe që zënë bankat greke ndaj aseteve të sistemit mund të kërkojnë veprime të forta me politika mbështetëse për sektorin bankar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›