E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi inauguron lulishten e re, një kumbull të kuqe për Ramën



Toka në qendër të Tiranës që është bërë shkak konflikti mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës është kthyer tashmë në lulishte. Vetë ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, inauguroi dje në mesditë lulishten e re ndërmjet “Rrugës së Durrësit” dhe Kavajës. Olldashi zbriti vetë pranë lulishtes për t’i bërë të ditur opinionit publik se është mbajtur premtimi që u bë disa ditë më parë, se brenda një kohe shumë të shkurtër do t’i dhuronte kryeqytetit një lulishte, një hapësirë të re të gjelbër. Ai dje ishte i pranishëm kur në këtë lulishte u mbollën disa pemë, mes tyre dhe kumbulla të kuqe, ku vetëm njërën prej tyre e lanë të pambjellë, për t’ia dhuruar këtë kënaqësi vetë kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. “Jam shumë i kënaqur, që sot mund të quhet që kjo punë është përfunduar me mbledhjen e fidanëve të rinj, të cilët në një kohë optimale arrijnë t’i kthejnë këtij pellgu, qendrës së Tiranës, në një farë mënyre gjithë qytetit, këtë hapësirë të re dedikuar publikut”, - theksoi në fjalën e tij ministri Olldashi. Duke u ndalur në pemët e mbjella, ministri Olldashi i bëri ftesë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Rama, të kontribuojë në këtë hapësirë të gjelbër me mbjelljen e një kumbulle të kuqe. “Siç e vini re, atje kemi lënë një pemë pa mbjell, është një kumbull e kuqe, e blerë me fondet e ministrisë dhe unë ftoj z. Rama që të vijë ta mbjellë personalisht, sepse i kontribuon dhe ai kësaj hapësire të gjelbër të qytetit, duke vendosur një kumbull të kuqe”. Konflikti për këtë hapësirë në qendër të Tiranës ka disa ditë që ka filluar mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës dhe kanë pretendime të ndryshme për pronësinë e tokës. Pak ditë më parë, ministri Olldashi deklaroi se kjo është tokë shtetërore ndaj dhe qeveria ka vendosur ta kthejë në lulishte. Sipas Olldashit, për këtë tokë nuk ka asnjë lejë ndërtimi. Por nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës hedh poshtë pretendimet e qeverisë, duke deklaruar se kjo është tokë private dhe pronarët në bashkëpunim me dy kompani kanë vendosur të ndërtojnë në të dhe për këtë qëllim janë pajisur me leje ndërtimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›