Xhuvani: Ne, të ’90-ës, si e mbyllëm komunizmin!
Një film për njeriun?! A e justifikon kjo gjithë epokën 40-vjeçare të diktaturës që kaloi vendi ynë? Pas kësaj ere njerëzit dolën të lodhur, të rraskapitur, tejet të varfër - “të detyruar” të bëheshin edhe të këqij. Pasi ka realizuar tre filma që shkojnë në këtë linjë të sistemit diktatorial, regjisori Gjergj Xhuvani thotë se nuk është as kundra dhe as pro komunizmit, se njeriu është personazhi që i lidh të gjitha historitë me njëra-tjetrën. Sonte është premierë, filmi i ri “Lindje Perëndim Lindje”, por së bashku me dy realizimet e mëparshme “I dashur armik” dhe “Parrullat” - Xhuvani na thotë se ka përmbushur kohën nëpërmjet njerëzve: nisjen, kulmin dhe fundin e sistemit e komunizmit. Në filmin, që dje u dha për mediat - Xhuvani tregon se i takon atij brezi, pra ’90-të, që përjetoi fundin e diktaturës. Me bashkëskenar, shkrimtarin, babain, që u nda pak ditë më parë nga jeta, Dhimitër Xhuvanin dhe Jani Duron, regjisori ndan qartë shqetësimin i tij personal në tendencat indipedente të të bërit film; kërkimet mbi njeriun, jashtë politikës. “Ajo çka është themelore në këtë triptik filmash është njeriu, i cili nuk vdes kurrë. Njeriu është personazhi që lidh të gjitha historitë me njëra-tjetrën. Unë nuk kam bërë filma për politikën, nuk jam as pro as kundra komunizmit, por unë kam fiksuar kohën nëpërmjet njerëzve. Po të shikosh në të tre filmat njerëzit janë të dhimbshëm. Njerëzit janë të lodhur, nuk ka të këqij, por janë të detyruar të bëhen të këqij. Ideja ime fondamentale është që epokat krijojnë dramat, të cilat i përjetojnë njerëzit në mënyrën më të ndershme dhe më të dhimbshme”, - shprehet regjisori Gjergj Xhuvani, duke theksuar se me këtë film ai ka mbyllur ciklin e komunizmit në Shqipëri.
Sipas regjisorit, ideja e këtij realizmi ka ardhur si produkt i një bisede krejt të rastësishme në shtëpinë e mikut të tij, një producent francez. Filmi i përket zhanrit dramatik ndërthurur me nuanca komike. Xhuvani ka treguar se arsyet e lëvrimit të kësaj gjinie janë përjetimet jetësore të gjithsecilit prej bashkëpunëtorëve të atij filmi, duke filluar që nga regjisori, skenaristi, aktorët, për të dhënë një produkt të vetëm, filmin. Për këtë, regjisori Xhuvani është shprehur se “çdo regjisor i cili mund të quhet profesionist, krijon stilin e tij. Stili është gjithmonë derivat i zhanrit. Unë jam i afeksionuar pas zhanrit të komedisë dramatike, nëpërmjet së cilës inspiroj marrëdhënien ndaj të vërtetës, ndaj jetës. Jeta kështu është, e ne të gjithë e dimë që në momentet më dramatike lind humori, në momentet më me humor lind një dramë. Ky gërshetim vjen në mënyrë shumë organike dhe nuk mund të them se kam një strategji të caktuar. Kështu buron edhe me bashkëpunëtorët e mi, skenaristët e mi, aktorët, ku të gjithë janë pjesë e këtij zhanri. Edhe në jetën e tyre janë herë dramatikë, herë komikë. Jemi të gjithë brenda një marrëdhënieje të tillë, brenda një lloj logjike të përbashkët dhe kjo na bën të funksionojmë me këtë metodë”. Se si ka mbërritur tek ideja e filmit, Xhuvani thotë se ka shfrytëzuar shkëmbimet e eksperiencave të gjithsecilit prej pjesëmarrësve, duke shfrytëzuar përvojën reale të tyre. Në konferencë për shtyp, realizuesit gjejnë rastin të shkëpusin histori të ngjashme me subjektin e filmit, nga jeta e tyre personale, ndodhur kohë më parë. Kështu, aktori Ndriçim Xhepa thotë se ka kaluar të njëjtën situatë si në film, me ndryshimin e vetëm, profesionin. Në realitet njihet aktor, ndërsa brenda filmit një trajner çiklistësh. “Një fërkim të kësaj natyre e kam përjetuar pas ’90-ës bashkë me një grup xhirimi në Romë. U nisëm dy ditë para ikjes së anijeve në mars, për të xhiruar një film për rreth dhjetë ditë. Ndërkohë kur donim të ktheheshim nga i njëjti itinerar për në Shqipëri, gjithçka ishte bllokuar. Grupi i xhirimit në një autobus ka përshkruar të njëjtin itinerar. Atëherë nuk ishte kjo Jugosllavia e copëtuar. Kemi kaluar shumë peripecia, ngrënë e pa ngrënë, kemi fjetur në autobus e shumë vështirësi të kësaj natyre. Ky ka qenë një lloj përjetimi konkret”, - thotë aktori Xhepa. Ndërkohë që edhe vetë regjisori sjell një copëz nga jeta e tij reale kur ishte në Francë. “Kur kam qenë në Francë nuk rrija dot, kam qëndruar një javë në Trieste derisa të gjeja një mundësi për t’u kthyer. Kjo është një ëndërr e përbashkët e jona. Nuk ka qenë e vështirë për të rikthyer një epokë në film, pasi kemi shfrytëzuar eksperiencat tona duke i bashkuar për të krijuar këtë film”, - tregon regjisori, duke na bërë të ditur se pavarësisht kalimit të kohës, shqetësimi i kalimit të kufirit nuk ka ndryshuar aspak krahasuar me periudhën e para ‘90-ës. “Ka ndryshuar forma jo përmbajtja”, - thotë Xhuvani. “Filmi mund të mos jetë mirë, por aktorët janë të mrekullueshëm”, - shpreh përshtypjet regjisori Gjergj Xhuvani për këtë realizim. Aktorët janë një nga pikat e forta të regjisorit, duke rrëfyer dhe eksperiencën e bashkëpunimit me to. “Aktorët krijuan një ekip, diçka e vështirë. Asnjë nga ato nuk luan më vete, por duket sikur kanë një jetë të tërë bashkë. Aktori i madh Ndriçim Xhepa ishte dy herë trajner, trajner në rol, por edhe në aktrimin e djemve, të cilit unë i jam shumë mirënjohës. Aktorët janë ato që u besoj më shumë”, - thotë regjisori. Ndërkohë që aktori në rolin e postierit Helidon Fino e shikon si një eksperiencë të vlefshme bashkëpunimin me këtë film artistik. Ai thotë se “në çdo eksperiencë të re përfitohet diçka e mirë. E mira është të ketë shumë më tepër prurje pozitive sesa negative. Ajo që unë vlerësoj më shumë është fakti që nga kjo eksperiencë kam marrë shumë nga dy protagonistë të fuqishëm të kinemasë shqiptare, si regjisori Gjergj Xhuvani dhe Ndriçim Xhepa. Kam marrë një eksperiencë të madhe të punës dhe mjeshtërisë së tyre. Si rrjedhojë jam ndjerë shumë mirë”. Në kastin e aktorëve spikasin Ndriçim Xhepa, Elidon Fino, Gentjan Hazizi, Ervin Bejleri, Lulzim Zeqja, Fajton Pustina, Romir Zalla, Petrit Malaj, si dhe aktorja me origjinë boshnjake, Nela Lucic, që ka punuar me aktorët italianë, Pupi Avati, Tinto Brass e Peter Del Monte. “Lindje Perëndim Lindje” është një prodhim italo-shqiptar, që ka filluar xhirimet e tij në prill të vitit 2008. Sheshxhirimet e këtij filmi janë vendosur në Shqipëri (Durrës, Përmet, Qafë-Thanë), Maqedoni dhe Itali.
Ndërkohë që për realizmin e këtij filmi, sipas drejtorit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Xhevdet Ferri, ka prekur një kosto prej 900 mijë eurosh. Ndërsa shuma e akorduar nga fondet publike shkonin në jo më shumë se 350 mijë euro. Sipas regjisorit, filmi është duke u shitur në shumë vende të botës, duke filluar nga Amerika, Italia, në ish-Jugosllavinë, ku gjendet një distributor, i cili do ta shfaqë filmin dhe shumë vende të tjera, teksa na përmend edhe plane të tjera: “Planet për filmin që të dalë jashtë kufijve i takojnë distributorëve. Unë e kam mbyllur ciklin por bashkë me Ferrin kemi ide që të kalojmë në një cikël festivalesh”, - ka thënë Xhuvani, duke pritur sonte në mbrëmje premierën festive, por dhe homazhin për shkrimtarin dhe skenaristin Dhimitër Xhuvani.
Ferri: Filmat me deficit financiar, s’ka treg
Drejtori i QKK-së shprehet optimist për këtë realizim, ndërsa ngre njëkohësisht edhe shqetësimin e distribuimit të filmit jo vetëm si dukuri e ndodhur në Shqipëri. “Qendra Kombëtare e Kinematografisë është ngritur nga shteti shqiptar për të mbuluar këtë pamundësi që ka tregu jonë, rajonal apo edhe ai evropian për deficitin e madh financiar që krijohet nga mundësitë që ka distribucioni i filmit. Pra në asnjë moment, pavarësisht nga i gjithë sistemit të rregullave qoftë ligjore apo administrative që ne aplikojmë qëllimi nuk është të promovojmë financat, por të prodhojmë dhe promovojmë kinematografinë tonë”, - shprehet Ferri, duke nënvizuar faktin e funksionimit të filmit shqiptar në co-produksion. “Italia është garantuar, sepse që në embrion të veprës garancinë e një co-produksioni të qëndrueshëm, serioz, apo me partnerë të tjerë të ish-Jugosllavisë. Kjo do të thotë që filmi e ka të garantuar qarkullimin. Nga pikëpamja e përdorimit të fondeve publike filmi e ka realizuar qëllimin e tij pa përmendur se cili do të jetë qarkullimi i tij nëpër festivale, për të cilin unë jam optimist, duke u promovuar jo vetëm kinematografia, por edhe kultura e një vendi. Financat janë gjëja e fundit më pak e rëndësishme”, - thotë drejtori i QKK-së. Sipas tij, qendra e kinematografisë nuk merret me distributimin e filmit. Të gjithë shtëpitë filmike, sipas tij, duhet të raportojnë qarkullimin dhe të ardhurat e filmit, një akt që sërish nuk do të mbulojë shpenzimet e nevojshme.