Olldashi inspekton rrugën e Arbërit: Pjesa e asfaltuar shkon në 21 km

Qeveria po përgatit paketën financiare për të filluar punimet në 31 kilometrat e mbetura, ku përfshihen edhe dy veprat e rëndësishme të artit, tuneli i Qafë Murrizit, 2.2 km i gjatë dhe Ura e Vashës, rreth 400 m e gjatë dhe rreth 150 m e lartë
Katër kilometra të tjera në rrugën e Arbrit janë tashmë thuajse të përfunduara, duke i çuar në 21 kilometrat e asfaltuara, ndërkohë që punohet në 13 km të tjera ku asfaltimi pritet të nisë së shpejti.
Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, gjatë një inspektimi që bëri në lotin që lidh Fushë Bulqizën me Qafën e Buallit tha se ndërkohë qeveria po përgatit paketën financiare për të filluar punimet në 31 kilometrat e mbetura, ku përfshihen edhe dy veprat e rëndësishme të artit, tuneli i Qafë Murrizit, 2.2 km i gjatë dhe Ura e Vashës, rreth 400 m e gjatë dhe rreth 150 m e lartë.
“Jemi në një nga segmentet më të vështira të rrugës së Arbrit, segmentin që lidh Bulqizën me urën e Vashës, punohet në një terren malor të thyer ku na është dashur fillimisht të krijojmë rrugët e aksesit për të mbërritur në aksin ku kalon rruga e ardhshme e Arbrit.
Më tej, ministri Olldashi dukë u ndalur në segmentin Dalja e urës së Vashës- Bulqisë u shpreh se, “me këto katër kilometra totali i pjesës së asfaltuar të rrugës së re të Arbrit shkon në 21 km, të cilave iu shtohen edhe 13 km në të cilat ne po punojmë”.
“Më duhet të informoj që po mbyllim paketën financiare për të zgjidhur pjesën që mbetet, që është 31 km , pra më pak sesa gjysma e totalit. Me përmbylljen e paketës financiare ne po përgatitemi që në vjeshtë të fillojmë procedurën e prokurimit për kilometrat që mbeten dhe për dy objekte që janë mjaft të rëndësishme të kësaj rruge, që është tuneli i Qafë Murrizit dhe ura e Vashës”.
Rruga e Arbrit, është një nga veprat më të rëndësishme, por edhe më të vështira, që janë në ndërtim e sipër, me financim të buxhetit të shtetit.