Olldashi në Vlorë: PD-ja do ta rrëzojë Edi Ramën
Sokol Olldashi do të luajë si sulmues përballë Edi Ramës nëse do të zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike. Në vijim të takimeve në Vlorë, Sarandë dhe Delvinë, Olldashi tha se Partia Demokratike nuk duhet të presë që Edi Rama të bjerë vetë nga pushteti, por duhet rrëzojë atë.
“Partia Demokratike ka të gjithë potencialin profesional, politik, intelektual për t’u përballur me kundërshtarin dhe për ta shkërmoqur. Ne duhet të kuptojmë që detyra jonë, nuk është që të presim që Edi Rama të bjerë, detyra jonë është që ta rrëzojmë Edi Ramën, një ditë e më pare” theksoi Olldashi.
Dhe për këtë Olldashi ka një platformë që e bën realitet që në zgjedhjet e vitit 2015 rrëzimin e Edi Ramës. Për Olldashin kjo arrihet falë një aleance me qytetarët që preken nga mashtrimet e Edi Ramës dhe mazhorancës së majtë
“Ne, këtë duhet ta kthejmë në potencial opozitar, duhet të trokasim në cdo derë biznesmeni të vogël dhe t’i themi zotëri të gënjeu, hajde me ne në opozitë. Rrëzoi premtimin për shëndetësinë falas, duhet t’i drejtohemi të gjithë atyre që e besuan këtë premtim dhe t’i themi zotëri ju gënjeu, hajdeni me ne në opozitë. Duhet t’u drejtohemi të gjithë atyre që i mashtroi për legalizimet dhe t’u themi, zotërinj ju gënjeu. Pa ardhur akoma në pushtet, nuk nisi me legalizimet, por nisi me shkatërrimet, ejani me ne në opozitë” tha Olldashi.
Një tjetër nevojë për Olldashin është edhe riformatimi i strukturave politike të Partisë, duke kërkuar rikthimin e përfaqësimit te anëtarësia.
“Përqëndrimi i vendim-marrjes vetëm në duart e grupeve të punës, nuk është funksional, sepse mbyll rrethin më shumë. Ne kemi nevojë të kalojmë në një mekanizëm të ri, që do të bazohet tek kuotat elektorale të secilës degë dhe përzgjedhja nominale për administrimin e kësaj kuote duhet të bëhet nga dega dhe jo nga grupi i punës” tha ai.
Olldashi tha se rikthimi i vendimmarrjes politike dhe administrative, nga grupet e punës tek strukturat bazike, korrigjon një proces me peshë në jetën e brendshme politike të PD-së, pasi iu kthen pushtetin, degëve në rrethe.