E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Mbrojtje për këdo që largohet abuzivisht nga puna

Lulzim Basha u bën thirrje demokratëve që të bashkohen për të rikthyer Partinë Demokratike në udhëheqje të ëndrrës për Shqipërinë e zhvilluar europiane. Në kuadër të fushatës për zgjedhjet në PD, Basha zhvilloi takime me anëtarët në Korçë, Librazhd dhe Pogradec. Basha tha se të bashkuar demokratët mund të rrëzojnë Edi Ramën dhe të rikthejnë Partinë Demokratike në udhëheqje të Shqipërisë.

“Si mund të respektojmë problemet, hallet, kontributet e shqiptarëve, nëse nuk njohim dhe vlerësojmë meritat e njeri – tjetrit në mënyrë të barabartë, proporcionale, të drejtë dhe transparente. Bazuar në vlerat dhe përvojat tona më të mira, të bashkohemi për tu përballur edhe njëherë me Edi Ramën, për ta mundur, për ta çuar në opozitë dhe për të rikthyer PD, aty ku e kërkon destinacioni ynë historik, aty ku e presin shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve të ndershëm, në udhëheqje të ëndrrës së Shqipërisë së zhvilluar evropiane” theksoi  Basha.

Basha sulmoi mazhorancën e majtë për mentalitet anti-shtet, ndërsa theksoi se nën drejtimin e tij, Partia Demokratike do të jetë gati që në javën e parë, për të ngritur mekanizmat e nevojshëm për të mbrojtur çdo punonjës të administratës nga largimi antiligjor nga puna.

“Partia Demokratike është gati që sot, të përballet në çdo rast abuzimi me pushtetin dhe goditje të administratës publike dhe shërbimit civil, në mënyrë që për çdo rast t’u ballafaqojmë atyre faturën ligjore dhe detyrimin për t’i rikthyer në punë, faturën financiare dhe detyrimin për t’i dëmshpërblyer moralisht dhe materialisht dhe faturën morale dhe politike, për çdo akt abuzimi mbi vlerën e krijuar shoqërore të administratës publike dhe shërbimit civil në Shqipëri” shtoi ai.

Gjatë takimeve me bazën e Partisë Basha është ndalur edhe në çështje të tjera për të përmirësuar marrëdhëniet mes strukturave dhe vendosjen e sistemit të meritës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›