E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi raporton ne Kuvend per perplasjen e dy anijeve

Sokol Olldashi deputeti i PD-së, në rolin e ministrit të Transporteve ka raportuar në seancën kuvendore për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në ujërat ndërkombëtare, ku u përplasën dy tragete. Olldashi bëri të ditur se një anije pasagjerësh është nisur mbrëmjen e djeshme nga Porti i Durrësit drejt Italisë me pasagjerë në bord. Dhe rreth orës 1.00 të ditës së sotme trageti me pasagjerë nisur nga Durrësi është përplasur me një anije tregtare, duke shkaktuar mbytjen e kësaj të fundit.

Olldashi bëri të ditur për deputet se trageti i linjës Durrës - Bari është përplasur me anijen tregtare turke “Reina1” e cila kishte një ekuipazh prej 10 personash është mbytur menjëherë pas përplasjes. Sipas informacioneve më të fundit 2 marinarë të anijes turke kanë arritur të shpëtonin ndërsa është gjetur trupi i pajetë i një marinari tjetër.

Dy marinarët e mbijetuar Ahmet Seiçid 51 vjeç dhe Ahmed Bau 38 vjeç si dhe kufoma e një marinari tjetër tashmë janë në port, ndërsa mësohet se janë identifikuar nga Guardi di Finanzia edhe dy kufoma të tjera por si pasojë e dallgëve të mëdha ata nuk janë nxjerrë ende nga deti. Ndërkohë vijojnë ende operacionet e kërkim-shpëtimit, për 5 pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit. Anina turke transportonte drithëra.

Olldashi garantoi se pala shqiptare, duke qenë se aksidenti ka ndodhur në ujëra ndërkombëtare, do të japë ndihmën e duhur për të zbardhur në këtë ngjarje. Sipas tij të dy mjetet lundruese po ecnin në vijën e tyre të drejtë dhe ende nuk dihet pse u shkaktua përplasja. Ai tha se paraprakisht mund të jetë një gabim njerëzor, por gjithsesi kjo do të qartësohet pas zbardhjes së ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›