Rexhajt: Në liri ose në pushkatim
Procesi gjyqësor për vrasjen e mjekut në Has është drejt përfundimit. Vendimi jepet më 22 korrik
Vëllezërit e akuzuar për vrasjen e mjekut Behar Kastrati kërkojnë drejtësi ose vdekje
TIRANË- Vëllezërit e akuzuar për vrasjen e Behar Kastratit kanë kërkuar rikthimin e dënimit me pushkatim, në rast se nuk shpallen të pafajshëm. Kërkesa e çuditshme u lexua prej tyre në seancën e djeshme gjyqësore, së bashku me pretendimet e mbrojtjes për këtë ngjarje të rëndë, të ndodhur në verën e vitit 2005. “Sot në përfundimin e gjykimit, jam i detyruar të kërkoj drejtësi ose vdekjen time. Drejtësi, pasi nuk jam vrasës. Nuk jemi ne vrasësit e mjekut Behar Kastrati”,-tha Qamil Rexha, duke dhënë argumentet e tij në lidhje me motivin që sipas akuzës i ka shtyrë vëllezërit të vrasin mjekun Kastrati. “Vëllai ynë ka hyrë i vdekur në spitalin e Krumës, në vitin 1996. Që aty e kemi marrë po të vdekur. Vëllanë tonë e ka ndihmuar mjeku kardiolog Kastriot Geci dhe ne si familje nuk kemi pasur asnjë konflikt me mjekun apo me të afërmit e tij”,-tha ai, duke mbyllur kërkesën e tij me fjalët “nëse prokuroria apo ndonjë dëshmitar e ka vërtetuar se unë jam vrasësi i mjekut Behar Kastrati, më jepni dënimin me vdekje ose më pushkatoni mua ose djalin tim të vetëm”.
***
Pas fjalës së Qamil Rexhës, gjykata kërkoi të dëgjojë nëse kishte ndonjë gjë për të thënë i pandehuri tjetër, Abedin Rexha. Edhe ky i fundit kërkoi pafajësi.“Familja e mjekut Behar Kastrati të gjykojë me gjakftohtësi dhe t’i tregojë akuzës nëse ka ndonjë dyshim dhe me ndihmën tonë të gjendet autori i vërtetë, pasi nuk jemi ne ata që e kanë vrarë mjekun Behar Kastrati. Si e shpjegoi edhe vëllai, ne nuk kemi pasur asnjë konflikt me familjen e tij. Të gjitha ato që ka thënë prokuroria para gjykatës janë hamendësime dhe fantazi”,-tha Abedin Rexha. Ndërkohë, gjatë seancës së djeshme, i pandehuri i tretë i këtij procesi, Ibrahim Geci, ka përsëritur edhe njëherë akuzat ndaj prokurorisë, duke cilësuar deklarimet e tij si të sajuara dhe shkruara nga prokuroria. “Nuk kam pasur dijeni në lidhje me mjekun Behar Kastrati. Në lidhje me pretendimet e prokurorisë se unë kam folur me Qamilin për punën e mjekut Kastrati, kjo nuk është e vërtetë pasi me të kam biseduar vetëm për punët dhe problemet e mia”,-tha Geci para gjykatës, duke kërkuar drejtësi.
***
Togat e zeza të kësaj gjykate, pas dëgjimit të fjalëve të të pandehurve dhe pretendimeve të mbrojtësve të tyre ligjorë, ndërprenë seancën gjyqësore, duke u tërhequr për vendim. Procesi gjyqësor për vrasjen e mjekut Behar Kastrati është drejt fundit, ndërkohë që vendimi do të shpallet më datë 22 korrik, në orën 9:00. Dy javë më parë, prokurorët e çështjes, Eugen Beçi dhe Ardian Nezha lexuan konkluzionet përfundimtare, duke ngulmuar se tre të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në role të ndryshme, kanë kryer veprat penale të “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit me pasojë vdekjen” të mjekut Behar Kastratri dhe kanë konsumuar akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake, municioneve dhe lëndëve plasëse”. Sipas kërkesës së tyre, i pandehuri Qamil Rexha ishte ideatori, organizatori dhe personi që ka kryer mbytjen e mjekut Behar Kastrati me shtrëngim të fytit dhe më pas lidhjen e tij në dy shtyllat e betonit të njërës nga urat e fshatit Kolsh. Për të pandehurit Abedin Rexha dhe Ibrahim Geci prokuroria kërkoi nga gjykata dënimin e tyre me nga 25 vjet burg, duke i cilësuar si bashkëpunëtorë në krimin e rrëmbimit dhe më pas vrasjes së mjekut Behar Kastrati më 7 korrik 2005, trupi i të cilit u gjet 40 ditë pas datës së rrëmbimit.
PRETENCA
Qamil Rexha
Ka kryer akuzën e “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit” me pasojë vdekjen, të kryer në bashkëpunim. Prokuroria kërkoi dënimin e tij me dënim të përjetshëm
Abedin Rexha
Ka kryer akuzën e “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit” me pasojë vdekjen e personit të kryer në bashkëpunim. Kërkohen 25 vjet burg
Ibrahim Geci
Akuzohet për “rrëmbim ose mbajtje peng e personit” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Kërkohet dënimi me 25 vjet burg dhe 5 mln lekë gjobë