E Diel, 1 Nëntor 2026

Olli: PS po bllokon zgjedhjet në komunën Shalë

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akuzoi sot Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor në komunën Shalë të Shkodrës se po pengon qëllimisht zhvillimin e zgjedhjeve në këtë komunë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli në një konferencë për shtyp duke shprehur shqetësimin e institucionit që ai përfaqëson përgatitjet për zgjedhjet e së dielës në komunëen Shalë nuk janë në nivelin e duhur akuzoi KZAZ-në se nuk po kryen detyrat e parashikuara në Kodin Zgjedhor.

"Edhe pse PD dhe LSI prezantuan kandidatët për anëtarë të komisioneve të qendrave të votimit, KZAZ-ja nuk ka kryer emërimet e tyre, ndërkohë që dy subjektet e tjera, PS dhe PBDNJ, nuk i kanë paraqitur fare ata",- deklaroi zëdhënësi Olli.

Olli theksoi se KQZ nuk do të tolerojë moszhvillimin e zgjedhjeve në këtë komunë, pasi kjo situatë sipas tij është e papranueshme, pasi kjo komunë po mban peng shpalljen e rezultatit përfundimtar të 8 majit.

"Është e papranueshme që subjektet politikë dhe përfaqësuesit e tyre në KZAZ të sillen me këtë papërgjegjshmëri, duke e ditur se komuna Shalë po mban peng shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve lokale dhe përfundimin e procesit zgjedhor të 8 majit",- nënvizoi zëdhënësii KQZ Leonard Olli.

I pyetur nga gazetarët Olli nuk pranoi të bëjë komente rreth raportit final të OSBE/ODIHR, por bëri të ditur KQZ do të japë opinionin e tij për raportin në momentin që zgjedhjet vendore të kenë përfunduar.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›