Olli Rehn: Po bëjmë gjithçka që heqja e vizave të ndodhë brenda vitit 2009

Konfirmohet vendimi i Brukselit për të përshpejtuar procedurat për heqjen e regjimit të vizave për shqiptarët dhe qytetarët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, të cilët do të lëvizin drejt vendeve të zonës Shengen
TIRANE - Bashkimi Evropian mund të vendosë brenda këtij viti mundësinë e lëvizjes së lirë pa viza të qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa po brenda 2009-s Brukseli mund të çelë bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë. Deklarata është bërë dje nga Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Olli Rehn, gjatë një fjalimi të mbajtur në Parlamentin Evropian. Komisioneri Rehn theksoi se pavarësisht tendosjes në zgjerimin e bllokut 27-anëtarësh, Komisioni Evropian mund të rekomandojë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti heqjen e vizave për disa vende të Ballkanit, nëse ato arrijnë progres në kryerjen e reformave të ndërmarra. Pas kësaj, ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian mund të marrin një vendim përfundimtar deri në fund të vitit 2009, duke marrë parasysh progresin e vendeve ballkanike në luftën kundër krimit të organizuar, pajisjen e shtetasve me pasaporta biometrike dhe efikasitetin në kontrollin e kufijve.
“Ne dëshirojmë të çojmë përpara çështjen e udhëtimit pa viza. Kjo është shumë e rëndësishme për shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Rehn para komisionit të Parlamentit Evropian për Punët e Jashtme.
Sipas diplomatëve, mbetet ende e paqartë nëse qeveritë e shteteve anëtare të BE-së do të heqin vizat për këto vende, pasi kriza aktuale ekonomike i ka bërë disa shtete anëtare më skeptikë ndaj imigrantëve dhe punëtorëve të huaj dhe më pak të gatshëm se më parë në premtimin për të lehtësuar udhëtimin drejt BE-së.
Vendeve të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Shqipëria, Kroacia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, u është premtuar perspektiva e anëtarësimit të tyre në BE, por kriza aktuale ka ulur “oreksin” e bllokut për zgjerim të mëtejshëm. “Megjithatë le të mos shndërrojmë zgjerimin e BE-së në 'dashin kurban' të recesionit ekonomik. Kriza nisi më shumë nga Wall Street-i sesa nga rruga kryesore e Zagrebit”, theksoi Rehn duke iu referuar kryeqytetit kroat.
Sipas Komisionerit Evropian për Zgjerimin, Kroacia është ende në kohë për të përmbyllur bisedimet e anëtarësimit me BE-në brenda këtij viti, nëse zgjidhet një mosmarrëveshje kufitare me Slloveninë, vend anëtar i BE-së. Rehn shtoi se Komisioni mund të propozojë këtë vit edhe fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë, nëse ky vend përmbush reformat politike dhe ekonomike, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit.