Topalli: Në katër vite e shndërruam Shqipërinë nga një vend me perspektivë të errët, në një shtet modern

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli takohet me banorët e Mnel-vik, Hajmel dhe Vau i Dejës
Kryetarja e Kuvendit Topalli u takua sot me banorët e komunave e Mnel-vik, Hajmel e Vau i Dejës, të cilat kanë ndjerë më së shumti persekutimin dhe kalvarin e gjatë të vuajtjeve, në diktaturën komuniste. Deri katër vite më parë, të braktisura dhe të harruara, pa projekte zhvillimi, sot banorët e Mnel-vik, Hajmel janë dëshmitarë dhe mbështetës të ndryshimit. Në takimet me banorët e tyre, Kryetarja e Kuvendit u tha se, Shqipëria në NATO do të thotë më shumë mirëqënie, siguri dhe rritje ekonomike, një të ardhme më me perspektivë për fëmijët e tyre, dhe të gjithë Shqipërisë. Në komunën e Hajmelit, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se Shqipëria në NATO, ëndrra e të gjithë shqiptarëve e kthyer në realitet, është premtimi i mbajtur. Më tej ajo vijoi me rëndësinë historike të këtij proçesi, duke vlerësuar se "Kurrë ndonjëherë në historinë tonë, të kombit tonë, nuk kemi pasur një çast të një garancie kaq të madhe, të një presprektive kaq të ndriçuar, të një horizonti kaq të përtejmë, ku secili prej nesh e shikon vendin të mbrojtur, të sigurtë, me një ekonomi në rritje. Sot ne e shohim veten të mbështetur e të votuar si aleatë nga çdo parlament nga çdo senat, nga çdo qeveri, jo një apo dy, por e 26 vendeve anëtare të BE-së, Europës dhe NATO-s". Më tej, Kryetarja e Kuvendit, Topalli falenderoi dhe u shprehu mirënjohjen e thellë banorëve të këtyre komunave që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin besimin qeverisë dhe shumicës së djathtë, duke premtuar fonde të tjera më të mëdha në 4 vitet e ardhshme, që do të lëvrohen për banorët e kësaj komune dhe në tërësi për çdo komunë, të destinuara si për bujqësinë ashtu dhe infrastrukturën. "Në mandatin e dytë, kur unë të vij pas një viti, jam e sigurt, se do ta gjej këtë rrugë të asfaltuar", u shpreh Topalli. Duke u ndalur në fjalën e mbajtur duke i kthyer në vepra, në shtrim rrugësh, në rritje pagash, në rritje pensionesh, në investime të huaja, në privatizime të suksesshme, Topalli shtoi se "Ne kemi mbajtur premtimet tona, ja dolëm që parlamentët dhe senatet e vendeve mike të ratifikojnë marëveshjet më të rëndësishme që kombi ynë gjatë historisë së tij mijëravjecare ka mundur të realizojë ndonjëherë". Topalli vlerësoi se Shqipëria është vendi i vetëm në Europë që ka një rritje pozitive të ekonomisë. "Dhe kjo për shkak të një doktrine që ju e keni votuar në vitin 2005. Një doktrinë ekonomike që ju i keni besuar në vitin 2005. Një doktrinë filozofike që ju i keni shkuar pas gjatë gjithë këtyre viteve, e cila filloi të zbatohej në muajt e parë, menjëhërë pas ardhjes në pushtet të Qeverisë së djathtë", tha ajo. Më tej Topalli përmendi situatën e 4 viteve më parë, ku sipas saj, Shqipërinë e kishim gjetur me rrugë me gropa, gjithë baltë, gjithë pluhur, ku iknin investimet dhe investitorët, dhe që cilësohej nga të gjitha raportet si vendi i sistemit të kleptokracisë, që citohej me frikë nga institucionet e ndryshme ndërkombëtare, si vendi i grupeve të krimit të organizuar, apo familjeve mafioze. Më tej, kryetarja e Kuvendit vijoi se, "sot Shqipëria është vendi që ka lënë dhe ka rrëzuar sistemin e kleptokracisë dhe citohet në raportet ndërkombëtare si vendi i një Qeverie kampion në luftën kundër korrupsionit. Ndryshe nga tre vjet më parë kur ishim ndër 24 vendet më të korruptuara, sot Shqipëria ka lënë pas 95 vende. Sot Shqipëria është një vend që në buxhetin e saj 30 për qind të fondit i ka vendosur në infrastrukturë". Kryetarja e Kuvendit vlerësoi se pak orë para anëtarësimit, mazhoranca e djathtë ka realizuar një tjetër premtim të rëndëishëm për shqiptarët, dëmshpërblimin e të pushkatuarve pa gjyq nga rregjimi më i egër diktatorial, ai komunist. "Ju si komunë keni vuajtur dhe jeni persekutuar si pak kush nga komunizmi. Natyrisht për ju Shqipëria në NATO merr domethënie të jashtëzakonshme. Unë ndihem mirë që jam sot këtu, vetëm 1 ditë pasi në Parlamentin e Shqipërisë kemi votuar në parim dhe nen për nen ligjin "Për dëmshpërblimin e ish të përsekutuarëve, të burgosurve, të internuarve nga sistemi komunist". Ky ishte një detyrim i yni dhe këtë ne po e përmbushim. Por unë ndjej keqardhje për qëndrimin e disa deputetëve të opozitës, të cilët mbrëmë abuzonin me atë shtresë shoqërore, që është viktimë e krimeve të komunizmit, që ka vuajtur më shumë se askush tjetër gjatë asaj periudhe, duke e klasifikuar me një fjalor, që më kujtonte atë që të 20 viteve më parë. Kjo ishte shumë e trishtueshme ta dëgjoje mbrëmë, por ne jemi të vendosur të shohim përpara. Unë mendoj se hyrja në NATO edhe këtyre 3, 4, apo 5 deputetëve, do t’u bëjë shumë mirë", përfundoi Kryetarja e Kuvendit, Topalli.
...