E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot hyn në fuqi MSA-ja midis Shqipërisë dhe BE-së

Lëvizja e lirë e mallrave dhe e punëtorëve, përfitimet kryesore

Ministrja e Integrimit Bregu theksoi se zbatimi i dispozitave të kësaj marrëveshje ka impakt në lëvizjen e lirë të mallrave dhe se si rezultat i zbatimit të kësaj marrëveshje gjatë vitit 2007-2008 shkëmbimi i mallrave bujqësore ka njohur një intensitet të larte dhe me rritje të kënaqshme.

TIRANE - Nga dita e sotme Shqipëria hyn në një marrëdhënie të re konkraktuale me Bashkimin Evropian që rrit jo vetëm përgjegjësitë por afron përherë me tepër vendin me Brukselin dhe shkurton ndjeshëm distancën e kohës kur do ti bashkohet zyrtarisht unionit.
Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, bëri dje me dije se sot hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, ndërkohë që shfuqizohet Marrëveshja e Përkohshme (INTERIM), e cila hyri në fuqi më 1 dhjetor 2006 ose 6 muaj pas nënshkrimit zyrtar të MSA-së. Sipas saj me realizimin e kënaqshëm të marrëveshjes INTERIM, Shqipëria përmbyll me sukses një nga paratestet kryesore të anëtarësimit në BE, i cili do të kishte qenë i pamundur pa vullnetin politik të qeverisë shqiptare në përmbushjen e detyrimeve që dikton procesi i integrimit.

Hyrja në fuqi e MSA-së
“Në këtë javë suksesi, vendi ynë bëhet anëtar me të drejta të plota në NATO, duke shënuar kështu brenda pak ditëve dy ndryshime të mëdha për Shqipërinë, anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe hyrjen në një epokë të re në procesin e Integrimit në Bashkimin Evropian, hyrjen në fuqi të MSA-së. Detyrimet e Marrëveshjes së Përkohshme do të jenë tashmë pjese përbërëse e MSA-së. Implementimi i Marrëveshjes së Përkohshme në Shqipëri u vlerësua maksimalisht nga Komisioneri Olli Rehn, ndërsa vendi ynë si rast surprizë për sa i përket suksesit në implementimin e marrëveshjes. Kjo nuk do të ishte e mundur pa asistencën e gjithë aktorëve të këtij procesi, partnerëve tanë të Komisionit Evropian, përfaqësuesve të delegacionit të BE-së në Tiranë, ministrive të linjës, administratës shqiptare, stafit të ministrisë së integrimit”, deklaroi Bregu.
Ministrja e Integrimit ndërkaq theksoi se zbatimi i dispozitave te Marrëveshjes së Përkohshme ka impakt ne lëvizjen e lirë të mallrave; me hyrjen në fuqi të saj është vendosur gradualisht një zonë e tregtisë së lirë e cila do të përfundojë brenda një periudhe maksimumi dhjetëvjeçare duke nisur nga hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshjeje, si dhe reduktimi tarifor gradual deri ne Janar 2011.
“Si rezultat i zbatimit të kësaj marrëveshje gjatë vitit 2007-2008 shkëmbimi i mallrave bujqësore ka njohur një intensitet të larte, dhe me rritje të kënaqshme. Volumi i shkëmbimeve tregtare te produkteve bujqësore me Bashkimin Evropian për vitin 2008, ka arritur 388 milionë € nga 275 milinonë € qe ka qene ne vitin 2007, pra duke pasur një rritje prej 30 për qind në krahasim me vitin 2007”.

Përfitimet nga  MSA-ja
Përfitimi kryesor nga kjo marrëveshje sipas Ministres së Integrimit është
lëvizja e lirë e mallrave  e parashikuar në nenin të këtij dokumenti. Kështu MSA parashikon vendosjen e një zone tregtie të lirë mes Komunitetit Evropian dhe Shqipërisë, që do të thotë se palët do të krijojnë një hapësirë të përbashkët ku mallrat, personat, shërbimet dhe kapitalet do të qarkullojnë lirshëm, pa barriera fizike dhe teknike.
Një tjetër po aq i rëndësishëm është lëvizja e lire e punëtoreve (nenet 46-48). Me hyrjen ne fuqi te MSA-se, palët do te sigurojnë reciprocitet te trajtimit te punonjësve te punësuar ne mënyrë të ligjshme ne territoret respektive.
Bashkëshortet dhe fëmijët rezidentë në mënyrë të ligjshme të një punonjësi të punësuar ligjërisht në territorin e një Shteti Anëtar gëzojnë akses në tregun e punës së Shtetit Anëtar përkatës, gjatë periudhës së qëndrimit të autorizuar për punësim të punonjësit.
Gjithashtu do të vendosen rregulla për bashkërendimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore për punonjësit me nënshtetësi shqiptare, të punësuar ligjërisht në territorin e një shteti anëtar dhe për pjesëtarët e familjeve të tyre që janë ligjërisht rezidentë aty.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›