Leje ndërtimi me konflikt interesi dhe korruptimi i medias - “Politika e re” e Edvinit
Zbardhja e autorësisë së 6 lejeve të ndërtimit që kanë miratuar për vete Alban Eftimi i Arben Biçoku janë treguesi më i mirë se ç’është politika e re e Ramës dhe se ç’do të ndodhë kur ajo të shpërthejë si Gërdec brenda oborrit të Partisë Socialiste
“Politika e re” e Edi Ramës, e trumbetuar me të madhe si një gjetje, nuk e kapërcen kufirin e interesave jo aq të ngushta, që nuk shkojnë më larg se ca leje ndërtimi të dhëna për favor, apo-apo edhe vënia nën kontroll e mediave të shkruara dhe elektronike, në këmbim të favoreve të tjera për pronarët e këtyre medieve, që sigurisht konvertohen në “të holla”.
Rasti më i fundit, i të paktën 6 lejeve të ndërtimit të dhënë prej KRRT-së së bashkisë së Tiranës, ku projektues, apo ndërtues nga njëra anë (Tamara Eftimi e Kozeta Biçoku), nuk dallonin nga votuesit familjarë të tyre, në KRRT (Alban Eftimi e Arben Biçoku), nga ana tjetër. E thënë ndryshe, kësaj i thonë “vetë firmos e vetë vulos”.
Sigurisht, dy pjesët e dy familjeve Eftimi e Biçoku, në dy anët (jo)të kundërta të llogores, nuk do të mund të kishin këtë guxim, sa të shpërfillnin një konflikt të hapur interesi, pa dijeninë e kryebashkiakut Edi Rama. Këtë edhe vetë Edi Rama, ende i paprekur nga miopia apo hipermetropia, nuk do e lejonte, në rast se nuk do të donte. Pra, e gjithë kjo, është pjesë e një marrëveshje, kur ndërsa familjet Eftimiu e Biçoku, fituan nga shitja e aprovuar në KRRT-ë, e projekteve të tyre, falë “zemërgjerësisë” së Edi Ramës, ky vetë, ka marrë si shpërblim garanci për një suport financiar, në këtë pragfillimi të fushatës zgjedhore.
Përpos kësaj, ai, Edi Rama, në emër të “politikës së re”, ka futur standarde të reja edhe në editimin e lajmeve nga mediat e shkruara dhe elektronike. Në këtë standard të ri të futur prej tij, Edi Rama, qoftë nëpërmjet presionit, qoftë nëpërmjet joshjes, me tendera e reklama, ka fituar të drejtën që të vërë titujt e faqes së parë në disa gazeta, apo, apo, edhe të bëjë kokat e lajmeve në edicionet televizive. Sigurisht, ai nuk ka aq kohë, sa të rendë nëpër çdo gazetë a televizion, për të “redaktuar” lajmet, por atij i mjafton një SMS, e nisur me “forëard” nëpër disa numra celularësh “shefash” lajmesh, që ai të mund të imponojë që të bardhës, këto media t’i thonë të zezë dhe e kundërta, apo-apo, edhe t’u mbyllin “shtigjeve” zërave, jo vetëm kundër, që vijnë nga mazhoranca, por edhe zërave kundër, brenda gjysmës tjetër të opozitës së majtë.
Është një sistem i mbyllur, është një kuti Pandore e cila s’mund të rrijë pa u hapur, dhe sa më shumë që vonohemi, aq më shumë zhurmë do të shkaktojë kur ajo të shpërthejë. Do të jetë shpërthimi i një politike të re, së cilës do t’i vijë era e do qelbë dynjanë në plevicën e majtë politike.
A. B.