Olli Rehn, tur në Ballkan, por shmang vizitën në Tiranë
Komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Europian, Olli Rehn, shmang Shqipërinë, njësoj siç bëri para pak ditësh një tjetër zyrtar i lartë europian, Havier Solana. Shkak duket se sërish është mbajtja peng e shpalljes së rezultatit final të zgjedhjeve dhe përmbyllja e këtij procesi të rëndësishëm. Dje Rehn filloi një vizitë në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke zhvilluar takime në Serbi. Atje Rehn zhvilloi bashkëbisedime me Kryeministrin Mirko Cvetkovic dhe zëvendëskryeministrat Djeliç dhe Daçiç. Rehn dërgoi lajme të mira sa i takon lëvizjes së lirë dhe heqjes së regjimit të vizave, në vijim të propozimit të Komisionit Europian javën e shkuar. Një nga temat e diskutimit ishte edhe perspektiva europiane e Serbisë. Sipas njoftimit zyrtar të Komisionit Europian, Rehn do të udhëtojë edhe drejt Malit të Zi, ku do të zhvillojë takim me Kryeministrin Milo Djukanoviç, kreun e Parlamentit malazez Krivokapic dhe Presidentin malazez Vujanoviç. Përveç dhënies së lajmit të mirë për çështjen e heqjes së regjimit të vizave, Rehn do të dorëzojë tek autoritetet malazeze edhe pyetësorin në vijim të procesit të anëtarësimit. Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë të rëndësishme, që komisioni të përgatisë opinionin rreth aplikimit të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Destinacioni tjetër i Rehn është Maqedonia, atje ku siç njoftohet ai do të takojë Kryeministrin Gruevski dhe autoritetet lokale. Ai mësohet se do të marrë pjesë edhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian. Pas dhënies së lajmit të vizave, në Shkup, Rehn do të inkurajojë autoritetet vendase të vazhdojnë ritmet e reformave për të plotësuar të gjitha standardet që kërkohen nga faktori ndërkombëtar. Në përfundim, komisioneri Rehn do të vizitojë Bosnjë-Hercegovinën, ku do të takojë Kryeministrin Nikola Spiriç, ministrin e Financave, Dragan Vrankiç, ministrin e Sigurisë, Tarik Sadoviç, ministrin e Jashtëm, Sven Alkalaj. Në gjithë këtë axhendë të komisionerit europian për zgjerimin mungon qartazi vetëm Shqipëria dhe Kosova. Shmangia që i bëhet Shqipërisë duket se vjen për shkak të mospublikimit të rezultatit final të zgjedhjeve parlamentare. Pak ditë më parë, ishte Havier Solana ai që vizitoi Kosovën dhe teksa u pyet pse nuk kishte shkuar në Shqipëri, tha se autoriteteve u duhet lënë kohë ta përfundojnë procesin zgjedhor. Sakaq, dy ditë më parë edhe ambasadori i komisionit europian në Tiranë, Helmut Lohan, i pyetur për zgjedhjet tha se "po pres sa të përfundojë procesi zgjedhor. Deri tani di aq sa dini edhe ju".