Frattini: Statusi i kandidatit për Shqipërinë, brenda verës
Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Frattini, lobon dukshëm për pranimin e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Përmes një deklarate publike, kreu i diplomacisë italiane deklaroi se "e presim me kënaqësi kërkesën e Islandës për të hyrë në Bashkimin Europian, por duhet të sigurojmë Shqipërinë që brenda verës do të aprovohet kërkesa e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian". Frattini ka kërkuar mbledhjen e një samiti me krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit për të vendosur lidhur me hyrjen në Bashkimin Europian të vendeve ballkanike. "Dhjetë vjet nga fundi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ka ardhur momenti që këto qeveri të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre. Propozoj një konferencë mes të gjitha vendeve të rajonit për të favorizuar procesin e anëtarësimit në BE të vendeve si Serbia, Mali i Zi, Bosnja apo Shqipëria", është shprehur Frattini. Me këtë iniciativë, nënvizoi kryediplomati italian, duam të japim një sinjal politik të nivelit të lartë dhe Bashkimi Europian duhet të thotë nëse e dëshiron apo jo Ballkanin Perëndimor brenda bashkimit. Frattini i bëri thirrje Brukselit që të mos fshihet pas formaliteteve, por duhet t‘u përcaktohet koha e saktë vendeve të Ballkanit Perëndimor për të qenë pjesë e integruar e Bashkimit Europian. Diplomacia italiane bëri thirrje pak kohë më parë edhe për mbledhjen e një Samiti europian, në qendër të të cilit të jetë Ballkani Perëndimor. Ky ishte një prej tetë propozimeve të bëra publike nga ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Frattini. Plani u shpalos më 7 prill, gjatë punimeve të Samitit të Pragës, ku ishin të pranishëm ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian dhe diplomatët amerikanë. Paketa synonte përshpejtimin e rrugës integruese në organizmat euroatlantikë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Propozimi i parë kishte të bënte me regjimin e lirë të vizave. Italia shpresonte që raporti i Komisionit Europian për këtë çështje të ishte gati në fund të muajit maj dhe të hynte në fuqi sa më shpejt të jetë e mundur. Së dyti, Italia mendonte se në fund të muajit maj, Komisioni Europian do të mund të fillonte përgatitjet për raportin teknik rreth aplikimit të Malit të Zi për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Ky veprim mendohej të vazhdonte më pas në të njëjtën mënyrë me Shqipërinë dhe Serbinë. Së treti, Italia synonte që të mbylleshin negociatat për pranimin e Kroacisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2010. Referuar kësaj çështjeje, Italia mbështeste atë çka cilësohet "road-map" për Kroacinë, dokument i hartuar nga Komisioni Europian dhe që përshkruan rrugën që duhet të ndjekë ky vend. Së katërti, Italia bënte thirrje për forcimin e rolit europian në Bosnjë-Hercegovinë. Së pesti, Italia kërkonte që të zhbllokohej hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit midis Serbisë dhe Bashkimit Europian. Duke i kërkuar Beogradit një bashkëpunim të plotë me Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës dhe të mirëpresë një vizitë të prokurorit Serge Brammertz. Pika e gjashtë e planit "Fratini" fliste për zhbllokimin e shpejtë të çështjes së emrit të "Maqedonisë", në mënyrë që të kalohet te negociatat për pranimin në Bashkimin Europian dhe futjen në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Së shtati, diplomacia zyrtare italiane theksonte rëndësinë e mbështetjes për Kosovën. Një veprim që parashikon asistencë financiare, por edhe koordinim të prezencës ushtarake dhe civile në këtë vend. Pika e tetë e planit propozonte thirrjen e një Samiti BE-Ballkan Perëndimor, në fillim të vitit 2010, teksa dëshirohet edhe pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë aktivitet.