E Diel, 1 Nëntor 2026

Olta Gixhari: Nuk e kam marrë me frikë prezantimin

TIRANE- Olta Gixhari, është biondja që do të qëndrojë krah Gjebreas në këtë sipërmarrje gjigande të tij. Që nga dita kur u shfaq për herë të parë në skenë, ajo që nga të gjithë njihet Marilyn Monroeja shqiptare, nënshkroi padashje një marrëveshje të përjetshme me aktrimin, duke u shndërruar kështu në aktoren e re më të komentuar të viteve të fundit, të cilës do t’i besoheshin role të rëndësishme në teatër e kinematografi. 

Sot vjen në “Bluetooth”, nën petkat e prezantueses, të cilat pasi i hoqi herën e parë (Kafazi i Artë) u betua se s’do t’i vishte më kurrë... Kush ia prishi mendjen?! E mësojmë bashkë. 

Kush ta komunikoi lajmin për prezantimin e “Këngës Magjike”? 
Ishte vetë Arditi që ma komunikoi. Më mori në tel dhe më tha që kishte një ide... U takuam. Nuk ishte takimi ynë i parë, sepse njiheshim, ishim miq. Folëm gjatë lidhur me idenë e tij. Arditi ishte shumë i qartë në gjërat që kërkonte, unë i bëra shumë pyetje dhe në fund ramë dakord. 
Gjëja e parë që bëre kur e more vesh? 
Qesha si tani (qesh). 
Ti e dije që Armina ishte prezantuesja tjetër dhe nuk ia komunikove. Pse? 
Po, është e vërtetë. E torturova pak, sepse ka ca gjëra që nuk më takojmë mua t’i bëj. Pastaj Arditi më kërkoi të mos i tregoj, dhe unë e mbajta sekret. 
Ju jeni mikesha në jetën reale. Ju ndihmon kjo gjë? 
Kjo është e jashtëzakonshme. Kur Arditi më tha që një nga kandidaturat për prezantuesen brune ishte Armina, gjëja e parë që më pyeti ishte se si shkoja me të, sepse harmonia midis kolegeve në të tilla raste është e domosdoshme. Unë u gëzova shumë. 
Çfarë ke të përbashkët me Arminën? 
Gjëja që më pëlqen më shumë tek ajo dhe që e ka të përbashkët me mua, është vitaliteti. Armina, si dhe unë besoj, (qesh) përçon një energji pozitive. Kaq mjafton; është një mikeshë që ma zbukuron ditën sa herë e takoj. 
Ti e ke provuar dhe në një rast tjetër prezantimin dhe pas asaj eksperience ke deklaruar në një revistë se nuk do e bëje kurrë më. Pse ndryshove mendim? 
Për këtë duhet të pyesni Arditin (qesh). Ai më mbushi me siguri. Megjithatë në jetë ka progres dhe regres. Momentet e regresit nuk do të thotë që janë të pandryshueshme. Mund të ndodhë që njerëzit të nxjerrin në pah gjëra që në vitet e mëparshme nuk kanë mundur t’i nxjerrin... Mësojnë nga gabimet dhe kështu gjërat ndryshojnë. Skena e “Këngës Magjike” është një skenë gjigande dhe imponon shumë përgjegjësi. Në prezantimin e këtij festivali përgjithësisht ka pasur vajza të huaja, hapësira e të cilave ka qenë shumë e vogël. 
Juve, ju është komunikuar çfarë do të bëni? 
Unë di që pesha në prezantim do të jetë për të tre njësoj. Kjo është mjaftueshëm besoj. 
Të frikëson kjo gjë? 
Jo, absolutisht. E kundërta e kësaj do të më frikësonte. 
Domethënë këtë sfidë e ke marrë me shumë seriozitet dhe përgjegjësi?
Po, e kam marrë me shumë seriozitet, sepse për mua kjo është punë. 
Ndërkohë, nga kampi i aktrimit kemi ndonjë lajm? 
Ne aktrim unë vazhdoj të luaj në shfaqjen “Doktor Shuster” në Teatrin Kombëtar me regji të Spiro Dunit. Përkohësisht e kemi pezulluar, sepse do të jenë festat e nëntorit, dhe në dhjetor do të rifillojmë. 
Nga Oscar-i kemi të reja? 
Oscar-i po më pret mua (qesh). Nuk e di, nuk e di fare. 
Ti i ke provuar të dyja zhanret, edhe teatrin edhe filmin. Kush të tërheq më shumë? 
Teatri, pa diskutim. Ka një emocion të paçmuar. Marilyn Monroe-ja shqiptare: Nuk e kam marrë me frikë prezantimin Na trego pak për përditshmërinë e Oltës. 
Çfarë bën gjatë ditës? 
Unë kam ditë shumë të çuditshme. Ka ditë që jam shumë e zënë, si sot për shëmbull. Dita ime sot ka nisur që në orën nëntë dhe unë kam pirë vetëm një ujë e një kafe gjatë gjithë ditës. Kanë kaluar dymbëdhjetë orë dhe kam harruar të ha. Ka ditë të tjera pastaj që jam shumë më e lirë.
(m.a/bluetooth/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›