Olti Xhezo: Ju rrëfej dashuritë e mia në Londër
klotilda harka
Në kujtimet e një misteri mund të zbulosh gjithë spektrin e ngjyrave të lëkurës. Olti Xhezo sapo është kthyer nga Londra me një diplomë masteri, por edhe me histori e flirte “shumëngjyrëshe”, siç thotë vetë. Menjëherë ka nisur në Tiranë përgatitjet për të prezantuar “Miss Globe International”, ku vajza të gjithë racave do të ketë luksin t’i zbresë ai në skenën shqiptare. Në këtë intervistë për “Panorama Plus” zbulon preferencat e tij personale, dhe pse e intrigojnë më shumë femrat që vijnë nga kultura të panjohura, ku nuk përjashtohen ato me ngjyrë
Sa je kthyer nga një qytet si Londra, me një diplomë masteri. Çfarë jete ke bëre atje?
Londra, për ata persona që e njohin, është një qytet multidimensional që të ofron një larmi të pafund vlerash kulturore dhe edukative; është një udhëtim magjepsës mes racash, bindjesh, e preferencash nga më të ndryshmet. Mendoj se mbi të gjitha ka influencuar pikë vështrimi im mbi natyrën njerëzore, liberalizmin, ndjeshmërinë ndaj vlerave humane.
Do të jesh prezantues i “Miss Globe International”, planifikuar që vitin e kaluar për ty… Si e pret këtë eksperiencë prezantimi?
“Miss Globe” është një event kulturor i përmasave ndërkombëtare, dhe si i tillë mbetet gjithmonë një luks për cilindo prezantues televiziv. Sidoqoftë, mendoj se është ende shpejt për të diskutuar për këtë shfaqje.
Pak më sipër përmende racat, nga miss-et e botës, që priten të vijnë, cilat po pret me më shumë kuriozitet, domethënë je nga ata djem që preferojnë vajzat sipas shteteve?
S’dua të tregohem diskriminues ndaj më lejo të them që të gjitha vajzat po i pres me padurim (shakatë mënjanë), pa dashur që kjo të lerë vend për keqkuptim, më intrigojnë vajzat nga vende të largëta e kultura të panjohura pasi përcjellin vlera ndoshta krejt të ndryshme nga ato që vajzat shqiptare apo të vendeve fqinjë mbartin.
Po vajzat me ngjyrë çfarë ndjesie të lënë, dhe të ka ndodhur të njohësh ndonjërën në intimitet?
Vajzat me ngjyrë më pëlqejnë, ashtu siç u shpreha dhe pak më sipër, është eksperiencë më vete gërshetimi me kultura që janë kaq larg kulturës sonë.
Ndërsa jeni duke menduar për prezantuesen femër, parimisht ty të pëlqen një partnere ekspresive apo që të flasë pak?
Personalisht do të preferoja mos të kisha fare partnere (qesh), në rast të kundërt patjetër një partnere të shkathët dhe jo një koketë veç bukuroshe.
A mund të ekzistojnë rregulla në jetën e një djali, për shembull mosha kur duhet të martohet?
Pa diskutim që ekzistojnë disa rregulla të pashkruara, por jo ligje. Këto lloj rregullash në një farë mënyre imponohen nga ambienti social, kultura, botëkuptimi, mentaliteti dhe ora biologjike. Sidoqoftë,unë mendoj se në vija të përgjithshme këto rregulla njihen, padashur t’i përmend unë.
Jo më kot ju pyes, pasi pak ditë më parë ti ishe i ftuar në dasmën e Landit të “West Side Family”, miku tënd. Çfarë mendove gjatë darkës?
Është e çuditshme si vitet kalojnë... me Landin jemi miq të mirë prej më tepër se dhjetë vitesh. Mu bë vërtet qejfi që dashuria e tyre e përjetshme u kurorëzua me një ceremoni të bukur. Vajzat të mos mërziten, do dalë sërish ndonjë këngëtar tjetër bukurosh.
Ka pasur ndonjë koment aty këtu në median e shkruar ku ti je cilësuar “I vetmuar” pasi nuk je parë të shoqërohesh me ndonjë vajzë. Çfarë përgjigje do të mund t’u jepje këtyre komenteve?
Në fakt, termi “i vetmuar” më përcjell një ndjesi të trishtë, s’di të them pse. Unë jam vetëm, kjo është e vërtetë, por është një zgjedhje e imja për momentin. Nga ana tjetër, pa diskutim jo ‘i vetmuar’, kam një familje të mrekullueshme, miq, mikesha e të njohur pafund.
Jetove ndonjë histori dashurie në Londër për të cilën mund të thuash diçka?
Patjetër, si mund të humbisja rastin, a lihej të ikte Londra prej duarsh pa flirte e histori të bukura shumë ngjyrëshe (qesh).
Për sa i përket profesionit të juristit, ku do të pozicionoheni tani e tutje?
Në Londër përfundova studimet pasuniversitare për Ligj Ndërkombëtar Tregtar, çka ka ndryshuar pak kursin e profilizimit tim. Jam duke vlerësuar disa mundësi, të shohim çdo të ndodhë. Vëmendja ime është e fiksuar maksimalisht në fushën e drejtësisë, sidomos pas përfundimit të studimeve pasuniversitare.