E Diel, 1 Nëntor 2026

Pirro Çako, jeta e re me Anjushkën dhe një klip për të përjetësuar dashurinë

 

redona sadiku

Një artist mund ta kthejë dashurinë në art. Ndoshta për këngëtarin Pirro Çako historia e dashurisë me juristen Anjeza ka marrë kaq vlerë sa ka vendosur ta sjellë dhe në klip. Procesi gjyqësor për divorcin nga bashkëshortja Inva Mula nuk e ka detyruar aspak të qëndrojë në heshtje. Pasi ka kaluar një verë relaksuese vetëm me pushime, këto ditë vjeshte kantautori është duke u marrë me xhirimet e klipit që do të mbajë po titullin e këngës “Anjushka”, që fitoi çmimin “NRG Radio”, gjatë konkurimit një vit më parë në Festivalin “Kënga Magjike”. Kënga do të vijë në variantin remix, të punuar nga Kastro Ziso, që do të thotë se bëhet fjalë për një këngë më të fortë. Figurante do të jetë një vajzë 22 vjeçare, kopje shumë e bukur e Anjezës, të dashurës së cilës i ka dedikuar këtë krijim. Edhe pse nuk e ka fshehur që po kalon periudhë të mërzitur dhe stresante ndërsa po merret me divorcin, tashmë artisti e ka mbledhur mendjen dhe është gati të ecë për plane të tjera në muzikë. Ideja për realizimin e këtij klipi u diskutua që në qershor, kur ai shtyu divorcin me sopranon e njohur Inva Mula. Dhe ky do të jetë një klip i goditur për dimrin dhe natyrisht që do të kthehet në hit. Kantautori është duke xhiruar këtë klip pikërisht të këngës “Anjushka”, ndërkohë që paralelisht vazhdon procesi gjyqësor i divorcit me Invën. Xhirimet e klipit po realizohen në Tiranë. Ashtu si dhe në klipet e mëparshme, Çako ka zgjedhur për figurante të klipit një vajzë kaçurrele që i ngjan shumë Anjës, vajza brune kaçurrele. Edhe pse ajo nuk merret me art, ka pranuar që kjo këngë t’i kushtohej asaj si për ta përligjur në njëfarë mënyre lidhjen e tyre. Në refrenin e këngës “Anjushka”, që do të përfshihet në krijimet e albumit të tij të ri, Pirro thekson faktin se në takimin e parë ai nuk e dinte se sa vjeç ishte ajo, një njohje tipike e jetës së natës ku mendohet se ka nisur shumë rastësisht dhe gati si me shaka. Ai thotë se “një natë në party shpejt unë ty të dallova, gjysmë errësira të maskonte disi, ndërsa këndoje ti unë shihja orën”… Kjo është dhe historia e vërtetë e njohjes së tij me Anjezën, në një nga karaoket më të njohura të Tiranës. Por gati një vit më parë kur ai i shkroi këto vargje, lidhja vazhdonte në sekret të plotë. Të paktët që ishin në dijeni ishte një rreth i ngushtë miqsh të Pirros dhe Anjezës deri në momentin kur paparaci ynë i fotografoi së bashku në një tjetër lokal nate, ku ishin të ftuar në një natë kabareje. E tashmë lidhja nuk po mbahet më e fshehtë, sidomos tani që për çiftin Mula-Çako nuk ka më kthim pas. Nga ana tjetër sopranoja e njohur Inva Mula ndoshta kishte menduar ta mbyllte shpejt e shpejt gjyqin e divorcit me bashkëshortin Pirro Çako, por kontradiktat dhe konfliktet kanë shoqëruar procesin gjyqësor që nga dita e paraqitjes së padisë për divorc nga sopranoja Mula. Ai që ka vendosur ta shtyjë dhe vështirësojë situatën ka qenë Pirro. Kërkesa e Pirro Çakos për shtyrjen e gjyqit të divorcit me Inva Mulën pas datës 28 qershor, u komentua si një shtyrje e qëllimtë nga ana e kantautorit nisur nga fakti se sopranoja kishte planifikuar martesë të dytë me biznesmenin kosovar brenda muajit qershor. Seanca e parashikuar të ishte më 5 qershor u shty nga Pirro me pretendimin se ishte i angazhuar me disa projekte muzikore në Itali, dhe nuk kishte mundësi të ishte i pranishëm. Ndaj për këtë arsye ai kërkoi që seanca e radhës të zhvillohej pas datës 28 qershor. Ndërkohë që dhe seanca e para pak ditëve është shtyrë, pasi gjatë procesit avokatja e Pirros ka kërkuar si fillim gjetjen e konsensusit nga ana e çiftit për kujdestarinë e djalit, Anthony. Ndërkohë që një ankesë tjetër ka qenë ajo për psikologen që gjykata ka caktuar për të vlerësuar çështjen e djalit. Pirro nuk ka qenë dakort për të, për faktin se ajo është konsideruar e paeksperiencë për të  gjykuar drejtë pozicionin e të birit, ndërkohë që kishte vetëm 9 muaj që ishte diplomuar. Gjithsesi thuhet se sopranoja nuk e kishte parashikuar këtë rezistencë nga Pirro, kur mori vendimin të depozitonte padinë. E shkaku që e bëri Invën të depozitonte padinë në Gjykatë për divorc u bë Anjushka e dashura në Tiranë e Pirros, histori që u publikua për herë të parë nga “Panorama Plus”. Kjo pasi u gjend një lidhje konkrete e vajzës që shkurt i flasin Anja me të cilën shoqërohej dhe këngës me titullin “Anjushka” me të cilën konkurroi në festivalin “Kënga Magjike”, krijim që artisti ia kishte dedikuar pikërisht asaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›