E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Omëleta" nuk bëhet pa thyer vezët

 

REFORMA ZGJEDHORE

Konsensusi politik për reformën zgjedhore dhe për ndryshime të rëndësishme kushtetuese, sipas mendimit tim, është treguesi që demokracia shqiptare tashmë ka hyrë në fazën e pjekjes dhe konsolidimit të saj. Me sa duket, kjo ishte koha e duhur e ndryshimeve politike, që kërkon në mënyrë imperative ndërtimin e një "pozite" dhe "opozitë" ndryshe, me përgjegjësi dhe relacione të reja, në emër të interesave politike dhe zhvillimit kombëtar. Unë besoj se konsensusi për reformën zgjedhore është fundi i politikës së vjetër, i dikotomisë primitive, të ndarjes mekaniciste të pozitës nga opozita, duke e parë njëri-tjetrin vetëm si armik. (Le të kujtojmë idetë e politikanit, teoricien i shtetit modern, Karl Shmid, për politikën si raport midis mikut dhe armikut, apo të majtës dhe të djathtës). Reformat e miratuara duhet të na bëjnë optimistë, se politika shqiptare do të ndryshojë cilësinë e saj. Me sa duket, ky ka për të qenë momenti historik që politika shqiptare të futej natyrshëm në "shtratin e modernitetit", të konceptimit normal të modaliteteve politike dhe parlamentare me të cilat ndërtohen marrëdhëniet e pozitës me opozitën, duke përdorur të gjithë mjetet demokratike në kohën e duhur dhe në vendin e vet. Politikë moderne me përgjegjësi kombëtare është ajo, që mbi çdo gjë ka interesat e demokracisë, zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit të procesit demokratik, forcimit të shtetit ligjor, lirisë dhe të drejtave të njeriut. Politika shqiptare, pozita dhe opozita, më saktë, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, dy liderët e tyre, me veprimin e fundit, kapërcyen paradigmën konstante të politikës së vjetër, e cila kishte kohë që nuk po e realizonte dot bërjen e "omëletës politike", sepse nga të dy krahët ka patur ngurrim, frikë, druajtje militante, terror nga konceptet e opinionit dikotomik të partive respektive. Ndryshimet në Kushtetutë dhe reformën zgjedhore janë veprimi më i mençur politik, akti madhor dhe i përgjegjshëm historik i dy partive të mëdha dhe aleatëve të tyre. Në pamje mund të duket i thjeshtë, i vogël, por në të vërtetë, është një hap i madh në reformën demokratizuese dhe konsoliduese të politikës shqiptare. Kjo është, sipas meje, "kufiri" i fillimit të një epoke të re.

Natyrisht, kur "thyen vezët" dhe kërkon të bësh "omëletën politike", doemos që ka dhe pasoja dhe realisht, siç po duket, politika shqiptare do të ketë pasojat në kampet respektive të politikës së majtë dhe të djathtë. Reforma zgjedhore ka nxjerrë këto ditë edhe pasojat, qejf-mbetjet dhe ambiciet e disa politikanëve. Natyrshëm një veprim i tillë kaq i madh dhe i guximshëm, nuk do të shpëtonte nga sëmundjet endemike të politikës së vjetër, nga paradigmat e sistemit zgjedhor të së kaluarës. Por ato janë provizore, kalimtare. Tani ka më shumë shanse për të ardhmen demokratike të shoqërisë shqiptare, ka më shumë mundësi që të reduktohet kjo klasë politike e hipertrofizuar në përmasa të çuditshme, do të rritet me siguri përgjegjësia politike e partive, do të evidentohen vlerat e lidershipeve politike përballë qytetarit. Bashkimi i vullnetit politik të elektoratit me përgjegjësinë dhe pjekurinë qeverisëse apo opozitare, është produkti kryesor që pritet të japë reforma, duke i dhënë fund demokracisë parazitare me spektër të fryrë, me partitokraci butaforike të sajuar, që nuk i ka shërbyer zhvillimit të demokracisë, por egoizmit personal, dëshirës së disa politikanëve, për të qenë me çdo kusht "persona publikë". Reforma dhe ndryshimet e bëra në Kushtetutë, i dhanë fund kësaj situate paradoksale, kësaj "politike për politikë". Ndryshimet që po ndodhin, janë pikë kthese në historinë e politikës dhe të demokracisë shqiptare. Këtë pozitivitet të reformës do ta kuptojmë të gjithë, kur të shkojmë në kutitë e votimit në 2009 dhe kur prej tyre të dalë vullneti politik i qytetarëve i qartë, i pastër, i pa alambikuar, i pa mbuluar me "gjethe dushku" apo premtime kafenesh. Demokracia do të bëjë hapin tjetër të madh, sepse do të kemi qeverisje më të mirë, më të konsoliduar, më të qartë politikisht, ashtu siç do të kemi opozitë më të fortë, më të përgjegjshme, më konsistente. Tani nuk ka më kthim prapa. Politika shqiptare më në fund i "theu vezët"… pritet që të bëhet omëleta…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›