E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e çmimeve, shtresat e mesme prekin varfërinë

Shehu: Qeveria nuk do të ndërhyjë me masa shtesë për stabilizimin e situatës inflacioniste

Mallrat e konsumit rriten me 10 për qind, vetëm energjia elektrike pësoi një rritje prej 23.7 për qind

Çmimet e mallrave të konsumit kanë ulur ndjeshëm fuqinë blerëse në vend, ndërsa qeveria ka deklaruar se nuk do të marrë asnjë masë gjatë pjesës së parë të vitit. Ministri i Financave ka deklaruar se nuk e sheh të nevojshme një ulje në taksa, e cila është kërkuar nga ana e specialistëve të ekonomisë për të ruajtur konsumin në nivele të larta. Edhe zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka sqaruar dje se qeveria nuk do të ndërhyjë për momentin me masa shtesë për të normalizuar situatën inflacioniste në vend. Drejtuesit e Ministrisë së Financave deklarojnë se në korrik do të bëhet rritja e premtuar e pagave dhe pensioneve nga 5 deri në 15 për qind, e cila do të kompensojë rritjen e çmimeve. Por sipas të dhënave të bëra publike nga ana e qeverisë, i gjithë numri i atyre që përfitojnë nga indeksimi i pagave nuk shkon më shumë se 150 mijë vetë. Ndërsa jashtë kësaj skeme mbeten pjesa dërmuese e popullsisë.

Fondi rezervë

Por parashikimet mbeten të errëta përsa i përket rritjes së çmimeve në vend. Banka e Shqipërisë parashikon një rritje të re të inflacionit, ndërsa qeveria parashikon që në këtë rast, të fusë si masë kompensimi Fondin Rezervë për të mbrojtur shtresat më të varfra. "Situata do të monitorohet dhe nëse ka rritje te mëtejshme të inflacionit, mund të përdoret Fondi i Kontigjencës, që llogaritet në 3.4 miliardë lekë", - tha Shehu. Për zëvendësministrin e Financave, Shehu, rritja e çmimeve të mallrave të konsumit dhe shtrenjtësimi i kostos së jetesës në vend nuk janë problematike. Një konkluzion i tillë, sipas Shehut, vjen pasi luhatjet e inflacionit janë normale për një ekonomi në tranzicion si e jona. Sipas Ministrisë së Financave, shqetësuese nuk janë as paralajmërimet e Bankës së Shqipërisë për një rritje të mëtejshme të inflacionit. Zv.ministri i Financave, Shehu ka përjashtuar edhe mundësinë e rritjes se presioneve inflacioniste nga fluksi i madh i investimeve publike, një tjetër shqetësim i ngritur nga Banka Qendrore. Sipas tij, situata është nën kontroll dhe gjithçka është parashikuar në mënyrë të tillë që inflacioni të mos preket.

+++

box

Nafta, rekord i ri në 119 dollarë për fuçi

Çmimi i naftës vazhdon të rritet edhe pas stabilizimit të dollarit, duke mbërritur në 119 dollarë për fuçi gjatë ditës së djeshme. Edhe në tregun e brendshëm, çmimet e naftës tentojnë që të arrijnë vlerat e tyre rekord, ndërsa grosistët bëjnë me dije se nuk është çudi që çmimi i naftës, në harkun kohor të një viti të tentojë në 200 lekë për litër. Aktualisht, në vend, çmimet tentojnë në 150 lekë për litër. Rritja me 3 dollarë për fuçi gjatë ditës së djeshme, në tregun ndërkombëtar të naftës, erdhi pas rritjes së tensionit midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Por nga ana e Presidentit të Iranit, është deklaruar se rritja e çmimit të naftës është ende në nivele të ulëta, pasi në të vërtetë kemi një zhvlerësim të dollarit në nivele tepër të larta. Ky është argumenti i fundit që vendet e OPEC po përdorin për çmimet e larta të naftës që kuotohen në dollarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›