Klinikat private mashtrojnë pacientët për analizat
Sipas Urdhrit të Mjekëve, klinikat private u bëjnë analiza për të cilat u mungojnë aparaturat dhe nuk kanë licencë
Inspektimet
U sigurojnë pacientëve se janë në gjendje të bëjnë të gjitha analizat, por në fakt nuk kanë aparaturat përkatëse për t'i realizuar ato. Madje nuk kanë as licencë nga Ministra e Shëndetësisë për analiza imologjike, por kjo nuk i pengon aspak të joshin pacientët klientë për shërbime që nuk i mbulojnë. Ky është rezultati i inspektimit të shumicës së laboratorëve dhe klinikave private nga Inspektorati i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekut për Rajonin e Tiranës. Sipas inspektorit të këtij Këshilli, Dritan Trebçka, inspektimi i këtyre klinikave ka nxjerrë në pah disa mangësi, ku më thelbësoret janë ato të analizave, pasi këto subjekte mashtrojnë pacientët për analizat. Në një prononcim për gazetën "Shekulli" ai pohon se këto klinika po mashtrojnë pacientët për shërbime që i ofrojnë por nuk i realizojnë. Ndërsa, shefja e shërbimit të Laboratorit në Qendrën Spitalore Universitare, Anyla Bulo thekson se në bazë të ligjit, laboratorët duhet të realizojnë vetëm ato analiza për të cilat janë licencuar.
Inspektimet
Në fakt, janë në gjendje të kryejnë vetëm analiza rutinë klinike por pacientëve u thonë se realizojnë edhe analiza imunologjike, për të cilat jo vetëm që nuk janë të licencuara por nuk kanë as aparaturat përkatëse për t'i realizuar ato. Kështu, Dritan Trebçka pohon se 2 muajt e fundit kanë inspektuar rreth 40 klinika dhe laboratore private dhe në shumicën e tyre është vërejtur kjo mangësi. Sipas tij, këto klinika mbledhin kampione analizash dhe meqë nuk i realizojnë vetë i dërgojnë në klinika të tjera. "Fakti që nuk janë të licencuara dhe nuk kanë aparaturat përkatëse për të realizuar analiza për të cilat u premtojnë pacientëve, kemi të bëjmë me mashtrim të pacientëve. Kjo mangësi vërehej në shumicën e klinikave të inspektuara",- pohon Dritan Trebçka duke shtuar se kjo ka të bëjë edhe me shkelje të ligjit, pasi subjektet private duhet të realizojnë shërbime vetëm për të cilat janë licencuara. Ndërkohë ai pohon se dërgimi i analizave nga një laborator në një tjetër ndikon negativisht edhe mbi xhepat e pacientëve pasi rritet kostoja e shpenzimeve, e si pasojë, pacientët duhet të paguajnë më shumë para. Gjithashtu Trebçka thekson se problematikë tjetër e klinikave private në përgjithësi, sa i takon procesit të analizave, është se ato nuk kanë standardizim të analizave.
Detyrimet
Detyrimi e çdo subjekti privat është që të ofrojë vetëm shërbime për të cilat është e licencuar nga Ministra e Shëndetësisë, përjashto analiza tepër të veçanta dhe të rralla. Kështu shprehet shefja e Laboratorit të Analizave në QSUT, Anila Bulo. "Kur hapet një laborator, duhet të licencohet për testet laboratorike që kryen. Nuk mund të hapen "kioska" që premtojnë se realizojnë të gjitha analizat dhe në fakt nuk bëjnë as 50 për qind të tyre", -pohon Bulo, duke shpjeguar se një laborator mund të dërgojnë në një laborator ndonjë analizë të rrallë, por këtë duhet ta bëjë vetëm kur ka marrëveshje me atë laborator. Sipas saj, kjo duhet të rregullohet me strukturat përkatëse, pasi njerëzit nuk mund ta dinë se ka aftësi klinika për të realizuar analizat që i nevojiten.
Trebçka: Kemi evidentuar klinika ta palicencuara
Inspektimet kanë nxjerrë në pah edhe klinika dhe laboratore private që ushtrojnë aktivitet pa patur fare licencë nga Ministra e Shëndetësisë. Në këtë mënyrë, pacientët kanë marrë shërbim shëndetësor në subjekte që nuk janë të ligjëruara. Kështu, inspektori i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekut për Rajonin e Tiranës, Dritan Trebçka pohon se kanë evidentuar 4 klinika dhe laboratore të palicencuara. "Këto klinika pas verifikimit tonë erdhën dhe u licencuan. Në fakt, ne dyshojmë se ka edhe klinika të tjera të palicencuara, por ne nuk mund t'i verifikojmë se janë të fshehura", - pohon Trebçka.