E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i grurit bie me 40 për qind

 

Në tregun ndërkombëtar, rifillimi i eksporteve të Ukrainës ul çmimin. Ekspertët: Kriza kaloi

Ukraina hoqi dje kufizimet në eksportin e grurit, duke shkaktuar një rënie të fortë të çmimit të këtij produkti në tregun ndërkombëtar, njoftuan agjencitë e lajmeve. Qeveria e Kievit deklaroi se në dy muajt në vijim, ky vend do të eksportojë 1.2 milionë tonë grurë. Më parë pati deklaruar se do të eksportonte deri në 200 mijë tonë. Menjëherë pas lajmit, në Çikago, çmimi i grurit ra në 8.04 dollarë për bushel (rreth 300 dollarë për ton), 40% më pak sesa kuotimi i dy ditëve më parë. Në Paris, çmimi i miellit ra në 187 euro për ton. Ekspertët në të gjithë botën deklaruan se tashmë kriza e çmimeve të ushqimeve mund të konsiderohet se ka kaluar. Çmimi i grurit mbetet ende 70% më lartë se një vit më parë, por ekspertët thonë se në muajt në vijim mund të ulet. Ukraina është në vend të katërt, përsa i përket importeve të drithit në Shqipëri. Gjatë vitit të kaluar, nga ky vend u importuan 5 milionë euro drithë, kryesisht grurë.

Sorin Vaslobal, një ekspert në Paris, deklaroi për "Financial Times" se vendimi Kievit mund të shtyjë edhe Rusinë, eksportuesin më të madh në botë, të heqë taksën prej 40% për eksportet e grurit. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore po bëjnë presion për të lehtësuar tregtinë ndërkombëtare. Por ndërkohë, ekspertët e tregut thonë se bota këtë vit do të arrijë në një prodhim rekord të grurit prej 645 milionë tonësh, shifër kjo e paparë ndonjëherë në histori. Për këtë arsye, pritet që çmimet e grurit të ulen fort në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti.

Çmimet në Shqipëri

Në mars të këtij viti, çmimet e drithit në Shqipëri pësuan një rritje prej 31%, sipas të dhënave të INSTAT, me bazë vjetore. Rritja e çmimit në Shqipëri qe së paku sa një e treta e rritjes në tregun ndërkombëtar dhe ekspertët mendojnë se këtu ka një defekt në mënyrën e matjes së inflacionit në Shqipëri. Gjatë dhjetorit të vitit të kaluar dhe janarit të këtij viti, kompanitë e prodhimit të bukës bënë presion dhe arritën të rrisin çmimin deri në 100 lekë për bukën standard 800 gramë. Çmimet u zbutën sërish në 80 lekë për bukën më të konsumuar në vend, por u vërejt në shumë raste edhe ulja e gramaturës në 700 gramë, gjë që e bën rritjen reale të çmimit të bukës me bazë vjetore së paku 64%. Shqipëria arrin të prodhojë më pak se një të tretën e drithit të konsumuar në vend, por drithi i prodhimit vendës nuk del në treg, për pasojë as nuk ndikon në çmimin e tregut. Shqipëria konsumon rreth 60 milionë euro grurë në vit.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, çmimi i grurit në Shqipëri në tregjet e shumicës arriti gjatë javës së fundit në 51 lekë. Në korrik të vitit të kaluar, po sipas të dhënave të Ministrisë, çmimi i grurit me shumicë qe vetëm 28 lekë për kg. Rritja vjetore rezulton 82%. Kjo është së paku 2.5 herë më e lartë sesa rritja e raportuar nga INSTAT për zërin Bukë dhe Drithëra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›