E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sinjale për ndryshimin e normës së interesit

 

Banka e Shqipërisë njoftoi se javën e ardhshme do të shqyrtohet Politika Monetare

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të vendosë të mërkurën e ardhshme të rrisë apo jo normën bazë të interesit në ekonomi. Në axhendën e mbledhjes, njoftohet se do të diskutohet për "gjendjen ekonomike në vend, si dhe për politikën monetare".

Banka e Shqipërisë ka rritur normën bazë të interesit të ekonomi (REPO) tre herë gjatë nëntë muajve të fundit, nga 5.75% në 6.25% që është sot. REPO është një mekanizëm që ndikon në interesin e bonove të thesarit, depozitave dhe kredive, duke ndikuar teorikisht në qarkullimin e parasë dhe në çmime. Në Shqipëri, ndikimi më i madh vërehet në interesat e bonove të thesarit, të cilat janë rritur së bashku me interesin bazë. Një rritje e mëtejshme e interesit bazë do të ngarkojë Buxhetin e Shtetit me kosto plus për borxhin e brendshëm, por do të ndikojë edhe në forcimin e mëtejshëm të lekut. Forcimi i lekut është faktori kryesor që i mban çmimet e mallrave të importit të ulëta në Shqipëri, duke penalizuar njëkohësisht eksportet.

Disa ekspertë mendojnë se BSH mund të rrisë më tej interesin bazë për të zbutur presionin e çmimeve. Fituesit më të mëdhenj nga rritja e interesit bazë janë bankat, të cilat kontrollojnë një oligopol virtual në tregun e bonove të thesarit prej 400 miliardë lekësh (rreth 3.3 miliardë euro). Një rritje e interesit bazë me 0.25% shton koston e borxhit publik në buxhetin e shtetit me 1 miliardë lekë në vit, ose rreth 8 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›