Oni Pustina, pas ndarjes nga Anbeta në karaoke në shoqërinë e meshkujve
Modeli i njohur Oni Pustina, pas ndarjes nga balerina Anbeta Toromani ka vendosur të lërë për pak javë dhe Italinë, për t’u rikthyer në fillim të vitit 2010. Pustina, i cili për pak feston 40 vjetorin e lindjes nuk ka pranuar të flasë deri tani për detajet e ndarjes nga balerina e njohur me të cilën bashkëjetonte për katër vitesh. Por natyrisht që po e kalon këtë ngjarje jo shumë lehtë, ndërsa është parë në Tiranë në shoqërinë e miqve të tij. Siç e shihni në këtë foto, Oni ka qenë në karaoke “Magic 4” fundjavën e kaluar së bashku me balerinin Ilir Shaqiri, dhe Eno Popin, drejtuesin e emisionit “Wake up” në “Top Channel”. Lajmi për ndarjen e çiftit u publikua në median shqiptare pak para shfaqjes së premierës së filmit “Lindje, Perëndim, Lindje”, të Gjergj Xhuvanit, ku ai luante për herë të parë në rolin e një çiklisti. Vendimin për t’u ndarë nga Anbeta ai e kishte marrë direkt, pasi në një nga revistat italiane u publikuan disa foto paparaci, të Anbetës me një balerin italian. Ndërkohë kjo periudhë festash mund të konsiderohet dhe si moment reflektimi për të ardhmen e Pustinës. Deri në fund të nëntorit modeli ndodhej në Itali, ku është mbyllur dhe sezoni i programit “Che posta per te”. Me kthimin në Tiranë ai po merret me menaxhimin e dyqanit të tij, e më pas ka bërë plan të rikthehet në Milano për të vazhduar karrierën si model. Asgjë më shumë nuk preferon të zbulojë Oni për jetën private. Tashmë një gjë është e sigurt që ai e ka hedhur tashmë pas krahëve historinë katër vjeçare me Anbetën. Në një intervistë që modeli dha një vit më parë për “Panorama Plus”, pohoi se ndiheshin shumë mirë në bashkëjetesën me njëri-tjetrin, nuk kishin ndonjë plan për ceremoni martese, por kishin dëshirë të sillnin në jetë një fëmijë, vetëm se pengesë ishte bërë karriera intensive e Anbetës nëpër botë. Balerina e suksesshme në Itali ka qenë para disa ditësh në Tiranë, pasi po punon për një shfaqje të përbashkët me Kledi Kadiun, miku i tyre i përbashkët.