Largimi i Eliza Hoxhës nga festivali i RTSH-së, dy këngëtarë nga “Të rinjtë” në finale
Tërheqja e këngëtares kosovare Eliza Hoxha nga konkurrimi në edicionin e 48-të të Këngës në RTSH, la një vend vakant në listën e këngëtarëve të katerogisë “Big”, që do të marrin pjesë në evenimentin muzikor të fundvitit, që pritet të mbahet në datat 24-27 dhjetor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Bordi i Festivalit të Këngës në RTSH ka marrë vendimin që kënga të zëvendësohet nga të rinjtë, duke përzgjedhur nga kategoria e tyre dy këngë fituese që do të shkojnë direkt në finale, ndryshe nga edicionet e mëparshme, ku shpallej vetëm një këngë fituese nga kategoria “Të rinjtë”. Stafi drejtues i festivalit kishte publikuar gjithsej 38 këngët nga kategoria “BIG” dhe e “Të rinjve”, të përzgjedhura prej 78 krijimeve të paraqitura për këtë vit. Me largimin e Eliza Hoxhës së bashku me autorin e këngës Florent Boshnjaku, të cilët konkurronin me këngën me titullin “Në mes”, u diskutua nëse mund të kualifikohej një nga këngët e skualifikuara, apo nëse festivali do të mbahej me një konkurrent “Big” më pak. Por këto ditë është marrë vendimi përfundimtar, që në finale të kalojnë dy konkurrentë të rinj. Në Festivalin e Këngës në RTSH gara është ndarë në dy kategori; “Big” dhe “Të rinjtë”. Nata e parë u kushtohet këngëtarëve të rinj, në natën e dytë do të këndojnë profesionistët dhe natën e tretë do të dalin në skenë këngëtarët “Big” në duete, grupe, apo të ftuarit e tyre, e bashkë me ta do të këndojnë edhe këngëtarët e rinj fitues të natës së parë. Nata e katërt është finalja ku shpallen dhe fituesit si çdo vit. Ndërkohë në garën “Të rinjtë” kanë krijimet e tyre kompozitorët; Agim Krajka, Alfred Kaçinari, Petrit Tërkuçi, Gjergj Jorgaqi, Edmond Rrapi, Edmond Mancaku, Evans Rama, Florian Zyka, etj.