E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i drogës, arrestohet miku i Bares, Edmond Bego

Policia: Arrestimi për llogari të drejtësisë italiane. Përgjimet e hetuesve italianë për trafikun e drogës mes dy shteteve, lidhjet e ish-presidentit të futbollit në Lushnje me “Bandën e Lushnjes”

Pas disa viteve në kërkim, jo vetëm nga policia shqiptare por edhe ajo italiane, më në fund dje është vënë në pranga një nga miqtë e Aldo Bares, i cili e ka ndihmuar mjaft në trafikun e drogës mes dy shteteve. Specialistët e Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar vunë në pranga dhe shtetasin Manoli Bego, lindur në Lushnjë e banues në Tiranë, i njohur për lidhje të fuqishme me Baren dhe trafikun e drogës të kryer përmes Lagunës së Karavastasë. Sipas burimeve zyrtare, arrestimi i 39-vjeçarit u krye, pasi ai ishte dënuar nga gjykata italiane me 13 vjet heqje lirie, pasi është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale të trafikut të lëndëve narkotike. Bego ka qenë për disa kohë edhe president i klubit të futbollit të Lushnjës. Ai u shoqërua në qeli, ndërkohë që kanë nisur procedimet për dorëzimin e tij autoriteteve italiane. Ndërkohë që strukturat e Policisë së Shtetit po vazhdojnë hetimet për zbardhjen në tërësi të aktivitetit të tij kriminal dhe pasuror.

Arrestimi
Ndalimi i 39-vjeçarit u krye në Tiranë, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar për llogari të drejtësisë italiane. Manoli Bego, lindur në Lushnjë, banonte në qytetin e Tiranës, ku kishte edhe një aktivitet privat. Sipas burimeve zyrtare, ndaj tij u ekzekutua masa e sigurisë “arrest në burg”, vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim nr. 1157, datë 24.12.2009, për efekt të njohjes së vendimit penal nr. 1735, datë 22.04.2008, të Gjykatës së Apelit në Torino - Itali, që e ka gjykuar dhe dënuar në mungesë me 13 vjet burg. Sipas Policisë së Shtetit, 39-vjeçari është shpallur fajtor dhe dënuar nga drejtësia italiane për kryerjen e veprave penale të rënda, të “mbajtjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë”. Në bazë të hetimeve të kryera nga policia italiane nëpërmjet përgjimeve, dyshohet se veprimtaria ku ai është i përfshirë përmban elementet e organizatës kriminale, ku bënin pjesë Aldo Bare dhe Enver Dondollaku etj. Sipas policisë, roli i 39-vjeçarit ka qenë përcaktues në mbajtjen e lidhjeve me furnizuesit, koordinonte aktivitetin e pjesëtarëve të tjerë të organizatës dhe orientonte mënyrën e shpërndarjes dhe administrimit të parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike. Pas arrestimit të kryer nga ana e Policisë së Shtetit për llogari të drejtësisë italiane, autoritetet më të larta policore italiane kanë dërguar përgëzimet e tyre mbi veprimet e shpejta dhe profesionale të policisë shqiptare lidhur me këtë rast.
Sipas burimeve zyrtare nga policia, ai njihej edhe me emra të tjerë si Edmond Bego, Saimir Sina dhe Belul Gjahtari.

Precedenti

Një vit më parë u vu në pranga për drogë Arben Laze

Një vit më parë u vu në pranga për trafik lëndësh narkotike një tjetër president ekipi futbolli, Arben Laze, së bashku me vëllanë dhe dy persona të tjerë. Laze njihet si kreu i sportklub “Elbasanit”, ndërkohë që procesi i tij vazhdon për veprën penale të “prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike” në Gjykatën e Lushnjes. Ky shtetas u akuzua se trafikonte lëndë narkotike të llojit heroinë nga Maqedonia për në Shqipëri, me destinacion tregjet evropiane të shteteve fqinje. Sipas akuzës, përgjimet telefonike nxorën në dritë faktin që ka qenë pikërisht Laze ai që ka porositur dhe sjellë sasinë e heroinës nga Maqedonia, ndërkohë që në sallën e gjyqit dhe para hetuesve, pronësinë e drogës e mori përsipër vëllai i tij, Fatjon Laze.

Përgjimi 1
TELEFONATA 6

Biseda në gjuhën shqipe, ora 08:33 e datës 16 dhjetor 2002 mes qytetarëve shqiptarë të quajtur Enver Dondollaku, “Goni” dhe “profesorit”. Transkriptim në formë përmbledhëse i telefonatës me Imei nr. 350727350583650 i përdorur nga “Goni” (Dondollaku) drejt numrit 0040/722199755 të përdorur nga “Profesori” (Aldo Bare) “Goni” (Dondollaku) pyet “profesorin” (Aldo Bare) si e mori vesh që do të ketë kontrolle të policisë. “Profesori” pohon që ishte “Mondi” atje (Mario, i identifikuar si Edmond Bega) dhe ka folur me një person që drejton komisariatin. Më tej vazhdojnë të flasin për një farë Altini që ka qenë shefi i Policisë Kriminale në Lushnjë, i cili ka punuar më pas si shef komisariati në Pogradec dhe Laç, se donin të godisnin Aldo Baren (Profesorin) duke ia marrë me forcë lagunën. “Profesori” i thotë Dondollakut se këto veprime ishin nisur nga Nano (Fatos Nano, Kryeministër i Shqipërisë). Aldo Bare i thotë Dondollakut se gjatë ditës do të merrte 10 mijë dollarë duke saktësuar: “Po ndryshoj fotografinë e gjërave, sepse nuk i dihet si do shkojë puna ime, avokatët duan paratë”. “Goni” (Dondollaku) kujton se dikur mund të ecej me paratë që përfitonin nga tregtia e peshkut, ndërsa tani nuk ka më aq prodhim. Të dy flasin për probleme lidhur me paratë dhe “Profesori” pohon se nëse nuk do ishte “Mustaqekuqi” (Roland Shyti), për ta do të kishte qenë më mirë. “Profesori” pastaj e pyet “Gonin” (Dondollakun) nëse ka folur me Kapon. “Goni” (Dondollaku) përgjigjet jo, duke saktësuar që para se të fliste me atë (Kapon, nuk identifikohet personi me këtë nofkë) duhet të fliste me të (Profesorin). “Profesori” shprehet se këtyre u duhet folur në mënyrë të qartë. “Goni” (Dondollaku) thotë se ka folur tri herë me atë (Kapon) dhe ky i kishte thënë që situatën e drejton ai (Kapo), por se nuk dëshiron të mbajë përgjegjësi për atë që do të ndodhë.

Përgjimi 3
TELEFONATA 7

Biseda në gjuhën shqipe, ora 12:11 e datës 16 dhjetor 2002 mes qytetarëve shqiptarë, të quajtur Enver Dondollaku, “Goni” dhe “profesorit” (Aldo Bare). Transkriptim në formë përmbledhëse i telefonatës me Imei nr. 350727350583650 i përdorur nga “Goni” (Dondollaku) drejt numrit të një kompanie celulare rumune 0040/722199755 të përdorur nga “Profesori” (Aldo Bare). Fillimisht të dy flasin për Luanin (Nuk jepet identiteti i plotë i personit me këtë pseudonim), në veçanti për faktin së kanë frikë mos flet dhe nëse do e bënte një gjë të tillë, kjo do ta dëmtonte “Profesorin” (Aldo Baren). “Profesori” informon “Gonin” (Dondollakun) se janë thirrur në një takim drejtuesit e policisë të disa qyteteve, për të emëruar një drejtues të ri të policisë së Fierit meqë i mëparshmi nuk do që të luajë lojën e Nanos. “Goni” (Dondollaku) përgjigjet duke pohuar se “ai” (Drejtori i policisë së Fierit) e kishte siguruar që ata (referuar Gonit dhe Profesorit) mund të vazhdonin të bënin punën e tyre, pasi atij nuk i interesonin aferat e tyre. Pikërisht për këtë arsye “ai” (Drejtori i Policisë së Fierit) nuk i kishte ngacmuar kurrë. Gjithashtu ai i kishte kërkuar (Dondollakut) të mos e merrnin më në telefon. “Profesori” saktëson se një nga krerët e policisë është mik i Mondit (Bego Edmond), i cili i kishte thënë të lajmëronte “çunat sepse po përgatiten”. “Profesori” thotë se një nga ata që ka pranuar të bëhet kreu i policisë së Fierit quhet Ilirjan Dina ose Dida dhe ky person ka pranuar t’i godasë ata (Profesorin dhe grupin e tij). “Profesori” vazhdon duke thënë se një ditë më parë një person ia kishte thënë këto gjëra dhe e kishte lajmëruar të kishte kujdes se donin t’ia merrnin lagunën me pretendimin se duan të ndërtojnë një bazë ushtarake amerikane në lagunë. Profesori thotë se ashtu si i ka bërë dokumentet, për t’i hequr lagunën duhet një ligj i posaçëm i Parlamentit. “Profesori” saktëson se i ka bërë gjërat me zgjuarsi dhe pikërisht prandaj duan ta godasin. Pastaj të dy i kthehen bisedës për “Luanin” dhe “Profesori” pyet “Gonin” nëse duhet vetëm ta rrahin apo t‘i bëjnë edhe më tepër. “Goni” thotë se për momentin vetëm do ta rrahin dhe nëse nuk e kupton mësimin, do mendojë ai personalisht. “Profesori” propozon t’i çojnë një karamele, “Goni” përgjigjet se nuk është e nevojshme.

Si u zbulua organizata e drogës e drejtuar nga Bare

Mbajtja nën vëzhgim dhe hetimi i një grupi afrikano-veriorësh e shqiptarësh që takoheshin në bar “Bijoux”, do t’i çonte agjentët e Antidrogës së Torinos në gjurmët e një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës, e cila drejtohej nga një person i vendosur në Turqi, i njohur me nofkën “Profesori”. Shërbimeve të specializuara të Antidrogës e Antimafias Italiane u janë dashur më shumë se tre vjet kohë, madje dhe ndihma e shërbimit sekret italian, SISMI për të zbuluar se pas “Profesorit”, që drejtonte gjithçka nga gadishulli i Azisë së Vogël, fshihej pikërisht ish-efektivi i repartit special 326, Alfred Shkurti. Prokuroria e Torinos ka publikuar dje për herë të parë skemën e plotë të organizimit dhe të drejtimit të një organizate ndërkombëtare që trafikonte drogë nga Azia e Vogël, në Ballkan dhe më pas në Itali. Sipas këtij hetimi, ku janë përfshirë strukturat më të specializuara të Antimafies, Antidrogës deri dhe shërbimit sekret SISMI, rezulton se aktiviteti i Aldo Bares është shumë herë më i gjerë nga sa është njohur deri tani në Shqipëri. Sipas hetimit të Prokurorisë së Torinos, del se ajo që njihet me emrin “Banda e Lushnjës” ka qenë thjesht një nga filialet e organizatës shumëkombëshe të drejtuar nga Aldo Bare. Bilanci i operacionit që mori emrin e lokalit, nga ku nisën hetimet “Bijoux 2” në C.so Orbassano, deri tani janë 34 urdhër-arreste të lëshuara nga gjykatat italiane, nga këto 17 urdhër-arreste janë lëshuar vetëm gjatë ditëve të fundit. Skuadrat e lëvizshme të policisë italiane kanë arrestuar në flagrancë 12 anëtarë të organizatës, ndërsa Aldo Bare u arrestua më 25 mars 2006 në kryeqytetin turk Ankara.

Organizata

Drejtuesit e kësaj organizate të shtrirë në disa shtete e kishin ndarë Italinë në dy pjesë, duke krijuar dy grupe pothuajse të pavarura nga njëri-tjetri. Grupi që vepronte në veri të Italisë, fillimisht e ka pasur qendrën në Torino, por pasi iu sekuestruan disa ngarkesa me drogë nga policia, e zhvendosi bazën në qytetin e Milanos. Ky grup kishte për objektiv shpërndarjen e heroinës dhe kokainës në Veriun e Italisë. Sipas Prokurorisë së Torinos, në krye të këtij grupi ka qenë Edmond Bega, 36 vjeç, nga Lushnja, i njohur në Shqipëri për disa vjet si president i skuadrës së Lushnjës. Madje në adresën zyrtare të UEFA-s në internet, emri i Begës ka qenë deri dje në mbrëmje i ekspozuar si presidenti i FK Lushnjës. Bega nuk ka pasur asnjë precedent penal deri tani Shqipëri. Ndërsa grupi tjetër ishte ngarkuar për të pritur drogën që vinte nga Shqipëria, si dhe kishte nën kontroll shpërndarjen e saj në rajone të rëndësishme të Italisë Qendrore dhe asaj Jugore. Ky grup e kishte qendrën në Romë dhe në krye të tij ishte krahu i djathtë i “profesorit”, Enver Dondollaku, 31 vjeç nga Lushnja. Droga mbërrinte fillimisht në portet e Barit dhe Ankonës dhe më pas shpërndahej në të gjithë Italinë përmes disa pikave mbështetëse në Torino, Romë, Milano, Napoli, Verona dhe Firence. Organizatës i janë zbuluar dhe tre laboratorë për ambalazhimin dhe përzierjen e drogës në qytetet e Torinos, Monzas dhe Breshias.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›