Mbi 161 mijë pensionistë tërheqin shpërblimet në zyrat postare
Ka shkuar mbi 161 mijë numri i pensionistëve, të cilët në harkun e tre ditëve kanë tërhequr shpërblimin e akorduar nga qeveria në sportelet e Postës Shqiptare. Bazuar në vendimin nr.1216 të Këshillit të Ministrave, datë 16.12.2009 vazhdon shpërndarja e shpërblimit për festën e fundvitit për të 555 mijë pensionistët në të gjitha zyrat postare të filialeve të Postës Shqiptare. Sipas vendimit, të gjithë pensionistët do të mund të tërheqin në sportelet e postës shpërblimin prej 2500 lekësh deri më 31 dhjetor, por asnjë pensionistë nuk do të mbetet pa marrë dhuratën e qeverisë edhe në janar. Vetëm ditën e parë, 40 mijë e 52 pensionistë kanë mundur të tërheqin shpërblimet në sportelet e Postës Shqiptare. Së bashku me ditën e sotme, numri i pensionistëve që kanë tërhequr “Kartolinën e Vitit të Ri” të dhënë nga qeveria ka shkuar në mbi 161 mijë. Për të mos krijuar probleme në shpërndarjen e pensioneve, si dhe përfundimin e dhënies së këtij shpërblimi, ISSH-ja, në bashkëpunim me Postën Shqiptare ka hartuar një grafik, i cili do të mundësojë shpërndarjen pa probleme të tij deri në fund të dhjetorit. Sikurse dhe vitet e tjera, Posta Shqiptare ishte gati me planin e masave për të qenë në dispozicion të pensionistëve, me qëllimin e vetëm që ata të marrin shpërblimin e dhënë dhe asnjë prej tyre të mos mbetet pa e marrë kartolinën e Vitit të Ri. Kompania lider në tregun e shërbimeve postare ka treguar se di të përballojë me dinjitet të tilla situata, duke qenë në shërbim të klientëve të saj, pë t’u shërbyer atyre me cilësi dhe korrektësinë më të madhe. Për këtë janë marrë masat e duhura jo vetëm në sportelet e filialeve, por dhe në Drejtorinë e Përgjithshme. Prej ditës së parë të shpërndarjes së pensioneve, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Postave Shqiptare ka nisur organizimi i shërbimit për marrjen e informacionit nga të gjitha filialet mbi aktivitetin ditor për shpërndarjen e shpërblimeve. Ky shërbim do të jetë deri në orën 22:00 të mbrëmjes, si dhe pa ndërprerje. Grupet e punës në Drejtorinë e Përgjithshme të Postës do të ndjekin nga afër situatën për përmbushjen e detyrave të rëndësishme me rastin e festave të fundvitit, sikurse është dhe shpërblimi i pensionistëve. Do të kontaktohet sistematikisht me të gjithë drejtuesit e filialeve për t’u njohur me situatën, si dhe për çdo problem të konstatuar të informojë drejtuesit e shoqërisë me qëllim që t’i jepet zgjidhje. Dhënia e shpërblimeve për pensionistët në fund të vitit motivon dhe më shumë punonjësit në punën e tyre dhe misionin që 555 mijë pensionistët të mund të marrin kartolinën e Vitit të Ri, nëse do të paraqiten në sportele.