Onufri Jo detyrimisht me artistet me te mire
U çel mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozita e edicionit XII. Një pikturë në tone të errëta me silueta njerëzore, një cikël fotografish me postera gjysmë të grisura ku ofrohen shërbime, një gjysmë nudo, një betoniere e lyer në rozë, një video që përshkruan kaosin urban, por edhe një pikturë që bën personazh ish-diktatorin Enver Hoxha. Janë 27 vepra në pikturë, fotografi, instilacion, video-instalacion dhe skulpturë, të përzgjedhura sipas konceptit “Unë jam Arti-st”, të kuratores Suzana Varvarica Kuka
“I dalluar në punë kulturale”. Riprodhimi në vizatim i një medalje nderi është e para punë që ndesh në ekspozitën e “Onufrit” e çelur mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Më tej një pikturë në tone të errëta me silueta njerëzore, një cikël fotografish me postera gjysmë të grisura ku ofrohen shërbime, një gjysmë nudo, një betoniere e lyer në rozë, një video që përshkruan kaosin urban, por edhe një pikturë që bën personazh ish-diktatorin Enver Hoxha. Janë 27 vepra në pikturë, fotografi, instilacion, video-instalacion dhe skulpturë, të përzgjedhur sipas konceptit “Unë jam Arti-st”, të kuratores Suzana Varvarica Kuka. Nga këta, 14 artistë nuk kanë ekspozuar më parë. Kuka ka përsëritur edhe njëherë se ka synuar të gjejë individualitete artistike për këtë edicion XII të konkursit. “Kuratorja në punën e saj të pavarur ka bërë një vështrim mbi skenën lokale të artit duke zgjedhur ata artistë që sipas saj përfaqësojnë një përgatitje ndërkombëtare. Duke i dhënë ekspozitës një karakter ku përfshihen artistë të gjeneratave të reja, duhet kuptuar që artistët që Kuka ka përzgjedhur, jo detyrimisht janë më të mirët e skenës, por janë më të mirët për konceptin e kuratores.
Mendoj se është një ekspozitë shumë e mirë e cila na lejon ne të gjithëve bashkë të hedhim një vështrim mbi produktin artistik që ofrohet sot nga gjeneratat e reja të artistëve, një mundësi e mirë për ta prezantuar e promovuar atë përballë publikut të GKA-së”, ka thënë Rubens Shima, drejtori i Galerisë së Arteve. Ai ka vazhduar t’i mëshojë faktit se artistët e përzgjedhur kanë formim ndërkombëtar për të përligjur të tretin vit që ky konkurs përfshin vetëm artistë shqiptarë. “Kemi të bëjmë me artistë që janë formuar jashtë Shqipërisë. Në këtë kuptim shtetësia nuk ka asnjë lloj rëndësie, “Onufri” nuk koleksionon shtetësi të ndryshme autorësh që detyrimisht duhet të jenë të huaj që të quhet ndërkombëtar. Ndërkombëtar e bën ekspozitën produkti që ekspozohet”, ka thënë Shima duke lajmëruar se kështu ndoshta do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen. Në fakt, në asnjë rast tjetër, një aktivitet që mban emërtimin ndërkombëtar nuk ngrihet pa praninë e artistëve të huaj, të cilët veç formimit, ofrojnë edhe perceptime të kulturës që i përkasin. Kuratorja Kuka ka bërë të ditur se kanë qenë rreth 70 artistë mes të cilëve janë përzgjedhur 27. Vetë ajo ka thënë se kualifikimet i ka bazuar në tri kritere: “Së pari, janë mënjanuar ata artistë që ende nuk po kuptojnë qartë se çfarë ndodh me zhvillimin e arteve vizive jo thjesht në Shqipëri, por edhe në arenën ndërkombëtare. Vepra e tyre flet me këtë gjuhë. Grupi i dytë është ai grup që merret me një lloj pikture “tradicionale”, që i përket peizazhit, portretit, natyrave të qeta, gjë e cila në mënyrë të natyrshme dhe tepër të vullnetshme është eliminuar nga unë, sepse nuk i përket konceptit të shkruar. Janë të lirë të marrin pjesë në ndonjë ekspozitë tjetër, por jo në këtë ekspozitë. Dhe e treta është se unë me vullnet të plotë u mundova të punoj me artistë të rinj, të cilët kanë nevojë të jenë pjesë e një hapësire kombëtare për ta parë ose sistemuar në Galerinë e Arteve dhe për t’ia treguar publikut shqiptar”, ka thënë Kuka. Në fakt, duket që secila prej punëve të ekspozuara qëndron e mëvetësishme në këtë ekspozitë. I pyetur nëse është shkelur statusi i këtij konkursi ndërkombëtar, Shima e mohon duke pranuar vetëm që është vonuar pak shpallja e kuratores, që sipas tij nuk ka krijuar probleme. Ndërsa duke iu referuar buxhetit për realizimin e kësaj ekspozite, duke theksuar në vazhdim se buxheti vjetor prej katër vjetësh është vetëm 30 milionë lekë të vjetra për Galerinë Kombëtare të Arteve dhe se me iniciativë personale ai ka punuar për gjetjen e donacioneve, Shima ka thënë se pjesëmarrësve tek “Onufri” u është ofruar mbështetje financiare. “Ata që kanë pasur nevojë, prodhimi i veprës është mbuluar nga GKA-ja. U janë realizuar fotografitë, janë ndihmuar me materialet e instilacioneve dhe janë ofruar pajisjet për videot”, ka thënë Shima. Fituesi i “Onufrit” do të shpallet në muajin janar, me një juri që do të shpallet më vonë, për të cilën Shima thotë se do të përbëhet nga specialistë të fushës, por edhe nga ndonjë i ftuar.