Udha e Kryqit, me Benediktin XVI, në Koloseum
Sivjet ecim pas Krishtit në Udhën e Kryqit, së bashku me familjet tona e familjet e botës. Sepse edhe familja, në se dëshiron ta ndjekë Krishtin, duhet të marrë mbi supe kryqin e vet, të rëndë madje. Me bindjen se, me sytë e ngulur te Zoti, do të mund ta përballojë betejën e jetës. Është mesazhi, që Danilo e Ana Maria Xanxuki, të lëvizjes së Fokolarëve, i përçojnë sonte njerëzimit, nga Koloseum, në zemër të Romës së krishterë, me meditimet e tyre, shkruar për Udhën e Kryqit. I kryeson Benedikti XVI, atje ku u derdh gjak martirësh, që ecën e ecin në shekuj mbi gjurmët e Jezusit. Në 14 stacionet tradicionale, të cilat meditohen, ndjehen fort problemet, që shqetësojnë jetën e bashkëshortëve: tradhtitë, moskuptimet, dyshimet, sëmundjet, lindja e fëmijëve, edukimi i tyre...
Tekstet e Udhës së Kryqit u nisën nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, drejt vitrinave të librarive, të hënën e kaluar. I ndjek mbarë bota e krishterë e jo, përmes mjeteve të ndryshme të komunikimit masiv. Sepse kjo Udhë nuk i përket vetëm të krishterit.
Në hyrje të Udhës së sivjetme të Kryqit lexohet: “Jezusi na thotë: ‘Kush dëshiron të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë çdo ditë kryqin e vet e të më ndjekë’. Kjo ftesë u drejtohet të gjithëve, njerëzve të vetmuar e të martuar, fëmijëve e të rinjve, të rriturve e pleqve, të pasurve e të varfërve, të bardhëve e të zinjve. U drejtohet vetmitarëve e familjarëve, miliona familjeve në botë. Të gjithë anëtarëve të tyre, që i lidh ngushtë gjaku i përbashkët. Por që shpesh vuajnë për shkak të tradhtisë së njeriut më të dashur. Ku shkoi gëzimi i afrimit, dëshira për t’u bërë një gjë e vetme? Ku shkoi deklarata “bashkë, përgjithmonë”, shqiptuar në një ditë, që dukej më e bukura e jetës? Nga Kryqi, Krishti i shikon të gjitha pabesitë. Shikon si zbehet e shuhet dashuria, që i lidhi bashkëshortët, shikon plagët e hapura, besimin e tradhtuar, sigurinë e zhdukur, lidhjen e këputur, besën e thyer. Burrin që braktis familjen e gruan, në sa gruaja i lutet Zotit të kryqëzuar t’i japë forcë për të mos gjykuar, për të mos u rrëzuar, për hir të krijesave të vogla, që e presin në shtëpi e s’kanë tjetër mbështetje, pse mbetur pa atë. Prej këndej, mëdyshjet për vlerën e familjes. Vetmia. Djepat bosh! Jezusi dëgjon, kupton e fton: “O njeri, që e shikon me mosbesim familjen! Mos shko vetëm udhës së jetës!”. Jemi në fund të Stacionit të parë.
Para se të niset në rrugën e mundimeve, Jezusi, i braktisur nga apostujt, në gjumë të thellë aty pranë, mes qiellit blu e pyllit të ullinjve, nis të trembet. E pritmja, që e njihte mirë, ia rrënqeth mishin e gjakun; parandjen dhimbjen e padurueshme. Shpirti njerëzor, që s’do dhimbje, para sosjes kalamendet në kllapi. Krishti çon dorën, si të donte t’i dëbonte mendimet e këqija prej mendjes. Si një tufë korbash. Për të dalë nga gjiri i errët i drojes, që e priste. Prandaj i drejtohet Atit, e i lutet: “Në se është e mundur, largoma nga buzët këtë kelk”. Duke shtuar menjëherë: “Por, u bëftë vullneti yt, jo imi!”.
Në këtë çast dramatik e solemn njëherësh, të gjithë ata, që kanë vendosur ta ndjekin Udhën e Kryqit, marrin një mësim të mirë. Si çdo i krishterë, edhe çdo familje ka udhën e vet të kryqit: ka të sëmurë, të vdekur, dëshira të parealizuara, shkolla të pakryera, pleq të paralizuar, mungesa, borxhe, varfëri, tradhti, sjellje imorale të njërit a të tjetrit, sherre me farefisin, me vëllezërit e motrat, e edhe gjëma, që vijnë nga moti i lig. E mijëra ndjesi të mira shuhen në zemrat njerëzore. Rrëmbehen nga rrjedha e furishme e jetës, që s’ndalet. Por çdo i krishterë e çdo familje, në këtë udhë dhimbjeje, mund e duhet t’i drejtojë sytë kah Krishti, Njeriu-Zot! T’i jetojmë së bashku çastet e fundit të Jezusit mbi tokë, çastet e dhimbshme të kryqëzimit e çastet sublime, kur Zoti e dorëzon shpirtin në krahët e Atit qiellor. Mësimi më i lartë e trashëgimi më i çmuar, që na la, është modeli i jetës së tij.
Papa dhe e Premtja e Madhe: Jezusi merr mbi vete mundimet e njeriut të të gjitha kohëve/Kisha, në mbarë botën, sot lutet e reflekton për misterin e Vdekjes së Krishtit. Edhe dita e Benediktit XVI u përqendrua e tëra tek kujtimi i këtij çasti themelor për fenë e krishterë. Pasdite, në orën 17.00, Papa kryesoi, në Bazilikën e Shën Pjetrit, kremtimin e Mundimeve të Zotit, medituar nga predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Kantalamesa. Në mbrëmje, pastaj, Benedikti XVI do të shkojë në Koloseum, për të kryesuar, në orën 21.15, ritin e Udhës së Kryqit. Ngjitjes së Krishtit në Kalvar dhe Vdekjes së Tij në kryq, Papa i ka kushtuar një mori reflektimesh. Po kujtojmë vetëm disa. Tri vjet duke mbjellë në zemër të njerëzve një fjalë të re, të padëgjuar, së cilës nuk i vihet veshi. E pastaj, zhdukja e bujkut. Mësuesit të dashurisë, nxënësit i përgjigjen me urrejtje; njeriut-Zot, me ligësinë më të rafinuar, që mund të fshihet në thellësitë e panjohura, të errëta e të befta të zemrës njerëzore, kur e pushton e keqja. Krishti tradhtohet nga miqtë, sulmohet mizorisht nga kundërshtarët, dorëzohet në duart e xhelatit, në vend të një krimineli, që s’ka lënë gjë pa bërë. I pafajshmi kryqëzohet, që të jetojë fajtori! Hap pas hapi, Jezusi zhvishet nga gjithçka. Me shpejtësi rrufeje. Sa e gjatë ishte rruga e misionit të Tij, aq e shkurtër, rruga e poshtërimit.
Nga arrestimi në Gjetseman, tek gozhdat që ngulen në mish e në nerva, Zoti pëson mundimet, që arrijnë kulmin e dhimbjes, kur, i braktisur nga njerëzit, për një çast, i duket se e ka braktisur edhe qielli: “Hyji im, Hyji im, pse më braktise? Larg shpëtimit tim janë fjalët e britmës sime. Hyji im, bërtas ditën, e ti nuk më gjegjesh; natën, e për mua s’ka prehje... Jezusi shtypet nën peshën dërmuese të një misioni, që duhet të kalojë nëpër rrugën e poshtërimit e të mohimit” (Audienca e përgjithshme, 14 shtator 2011).
Mbi Kalvar ngjet e pangjara. Tragjedia arrin deri në atë pikë, sa Zoti të braktisë vetveten. Por atje, ku për njeriun do të ishin hapur portat e dëshpërimit më të zi, për Zotin e varur mbi kryq, ndjesia e braktisjes - shpjegon Papa - bëhet braktisje në duart e Atit Qiellor, me sigurinë se Ati ishte e është gjithnjë aty pranë: “Nga fytyra e këtij “Njeriu të dhimbjeve”, që mbart mbi vete mundimet e njeriut të çdo kohe e të çdo vendi, e edhe mundimet tona, vuajtjet tona, vështirësitë tona, mëkatet tona, “Passio Christi. Passio hominis”- buron një madhështi solemne, një sundim paradoksal” (Meditim për Sindonën, 3 maj 2010).
Është paradoksi i Kryqit! Mbreti përballon armikun e fundit, duke hyrë në strofkën e tij. Tri ditë, për ta mundur, në atë që Benedikti XVI e quan “pushim ndërmjet jetës e vdekjes, i pashoq, i papërsërishëm”. Tri ditë për të fiksuar pikën e moskthimit, të fesë së krishterë, për ta kthyer fundin e jetës, në një fillim, që s’ka mort: “Hyji i bërë njeri, arrin deri në atë pikë, sa të hyjë në vetminë e skajshme, abosolute të njeriut, ku nuk arrin asnjë rreze dashurie, ku mbretëron braktisja e plotë, ku s’ka më asnjë fjalë ngushëllimi: tek “nëndheu”. Jezu Krishti, duke mbetur në vdekje, e kapërceu pritën e kësaj vetmie të fundme, për të na marrë për dore, që ta kapërcejmë së bashku me Të” (Meditim për Sindonën, 3 maj 2010).
Marrë nga Radio Vatikani