E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opera “Turandot” vjen në TKOB

Vepra me tre akte do vijë nën regjinë e italianit Nikola Zorzi, i cili ka thjeshtëzuar madhështinë e skenave gjigante ku është luajtur shfaqja me shumë personazhe, duke i kushtuar më shumë vëmendje dramës që mbart vepra.

“Kemi hequr madhështinë e skenave masive me murin kinez apo kafshët ekzotike, por do të ketë dhimbje pasi ky është thelbi i operës në fund të fundit”, u shpreh regjisori në një prononcim për mediat.

Opera vjen me libret të Xhuzepe Adamit dhe Renato Simonit dhe mbahet mend nga publiku për arien e famshme “Nessun Dorma”, ndër më të famshmet e Puçinit.

Ngjarjet zhvillohen në Kinë, në një kohë legjendare kur princi Kalaf, i dashuruar pas Turandot, për t’u martuar me të duhet të gjejë tri gjëegjëza. Çdo përgjigje e gabuar do të thoshte vdekje. Kalafi e kalon provën, por princesha Turandot heziton të martohet më të. Ai pranon të vdesë vetëm nëse ajo gjen emrin e tij të vërtetë, “Dashuri”.

Nën kostumet e Manuela Gasperonit do të ngjiten në skenën e TKOB-së edhe artistë si Irini Nikolla, Sonila Baboçi, Ardian Kamberi, Armando Likaj, Erlind Zeraliu, Eriona Gjyzeli etj. Kori dhe orkestra do të drejtohen nga Vitorio Parisi, ndërkohë që shfaqja do të ngjitet në skenë në datat 3, 5, 7 dhe 9 dhjetor, ora 19:00.

Puçini ndërroi jetë ndërsa po punonte për këtë opera, pasi arriti të sjellë të plotë personazhin e shërbëtores së perandoreshës kineze, Liu, e cila vret veten për të mos nxjerrë nga goja të fshehta që mund të dëmtonin të tjerët.

Vepra ishte e paplotë kur kompozitori vdiq në vitin 1924 dhe u plotësua nga Franko Alfano. Për herë të parë kjo opera është vënë në skenë  në teatrin “La Skala”, më 25 prill të vitit 1926, nën drejtimin e Arturo Toskaninit, por vetëm me muzikën e Puçinit.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-12-01 13:27
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›