Opera, një premierë botërore në Tiranë
“Jeta është ëndërr”, me muzikë e libret të David Tukiçit për herë të parë do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës së Baletit. “La Vida Es Sueno” u shkrua në vitet 1532-1536 nga Pedro Calderon De La Barca. Ka qenë pikërisht kjo dramë e pa muzikuar asnjëherë më parë që frymëzoi Tukiçin për ta muzikuar e për ta kthyer në një opera-balet, që vjen premierë botërore në Tiranë. “Jeta është ëndërr”, është vepra më e publikuar dhe e prezantuar në Europë, veçanërisht në vendet ku mbizotëronte regjimi socialist, duke qenë se Calderon ka zgjedhur Poloninë si vendin ku zhvillohen ngjarjet e dramës. Kjo vepër ka disa këndvështrime interpretimi: atë filozofik, moral dhe fetar. Ndër të tjera kjo vepër vjen edhe si një protestë kundër dhunës sociale, e cila mbyt lirinë individuale. Ajo mund të realizohet vetëm brenda dimensioneve ëndërrimtare. Maestro Tukiçi e ka ndryshuar libretin duke i shtuar skemës së ëndrrës, balet në aktin e II, si dhe ka nënvizuar në fundin e operës idenë që dashuria e vërtetë jeton dhe pas vdekjes. Vepra rrëfen historinë e një mbreti polak, Bazilio, i cili e mban të izoluar djalin e tij Sixhizmondo, pasi ditën kur lindi, yjet dhe planetët në të cilët ai besonte kishin parashikuar se do të bëhej një mbret mizor e tiran. Djaloshi rastësisht njihet me bukuroshen Rozaura dhe të dy dashurohen. Mbreti, vendos më në fund që të bëjë publike ekzistencën e djalit të tij duke i ofruar fronin dhe duke e detyruar atë të martohet me Stelën. Në momentin e lidhjes së kurorës, Rozaura vdes prej dhimbjes së madhe. Dy të rinjtë bashkohen në parajsë... Për realizimin e kësaj premiere të parë botërore në skenën shqiptare është zgjedhur regjisori Alfred Trebicka, edhe ky për herë të parë në drejtimin e një vepre operistike. Koreografia i është besuar mjeshtrit Agron Aliaj, skenografia Genc Shkodrani, ndërsa dirigjent kori është përzgjedhur Dritan Lumshi.
#