E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dhe Kosova, bashkëpunim në telekomunikacion

Memorandumi

Autoritetet e telekomunikacioneve të Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan së fundmi në Prishtinë një memorandum mirëkuptimi, në bazë të të cilit do të kryhet shkëmbimi i informacionit mbi politikat e ndjekura nga të dyja vendet në këtë fushë, kryesisht për shkak të perspektivës që të dy tregjet të rrisin integrimin mes tyre.

Për palën shqiptare, memorandumi u nënshkrua nga Piro Xhixho, kryetar i Këshillit Drejtues të AKEP, dhe për Kosovën nga Ekrem Hoxha, kryetar i Bordit të ART. Sipas memorandumit, “zyrtarët e lartë të palëve, do të shkëmbejnë pikëpamje dhe/ose do të ndërmarrin veprime dhe pozicione të përbashkëta në forume dhe organizata europiane dhe ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me sektorin e komunikimeve elektronike”, bëri të ditur Agjencia e Komunikimeve Elektronike dhe Postare e Shqipërisë.

Disa operatorë të tregut të telekomunikacioneve pritet të kenë së shpejti veprimtari në Shqipëri dhe Kosovë njëkohësisht, gjë që hap mundësinë për integrim më të madh të dy sistemeve, gjë që mund të sjellë reduktim të kostove dhe përfitim të ndërsjellë. Tani për tani, mes dy vendeve ka vetëm një linjë interkonjeksioni për telekomunikacionet, ku kalojnë një pjesë e madhe e fluksit ndërkombëtar të Kosovës. Por në përgjithësi, rrjetet e telekomunikacionit në Ballkan nuk janë aspak të integruara. AKEP ka planifikuar që së shpejti të nënshkruajë memorandume mirëkuptimi edhe me vende të tjera të rajonit si Maqedoni, Mal të Zi etj.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›