Operacion për goditjen e lotarive të palejuara, 29 shtetas të ndaluar

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Policia e Shtetit finalizoi operacionin e koduar “Bad spin”, duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 29 shtetasve të dyshuar për organizimin e lotarive të palejuara.
Gjatë këtij operacioni, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në inteligjencën policore, janë identifikuar subjekte si dhe shtetas, që kryejnë aktivitetin e paligjshëm të organizimit dhe përshtatjes së ambienteve për organizimin e lotarive të palejuara, poker dhe baste sportive online, në zona të ndryshme të Tiranës.
Policia informoi se gjatë kontrolleve të ushtruara në këto subjekte, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i 29 shtetasve të implikuar në këtë veprimtari kriminale, ndërsa po punohet edhe për kapjen e shtetasit T. Sh. (L), i dyshuar si i implikuar në këtë veprimtari.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruan shuma parash të dyshuara të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit, 33 aparate celularë dhe pajisje të ndryshme kompjuterike që shërbejnë për ushtrimin e këtij aktiviteti të paligjshëm.
/r.e/