Operacionet ushtarake ne Libi

Kryeministri britanik këmbënguli të sqarojë se “nuk bëhet fjalë për një pushtim”.
Por Londra është gjithmonë e më e shqetësuar nga situata në Libi, e sidomos kriza e skajshme humanitare në perëndim të shtetit afrikan.
Për këtë arsye dhe po përgatitet për një raund bisedimesh urgjente në OKB.
Shpërthimet e epidemive nga uji i ndotur janë një nga rreziqet kryesore me të cilat përballet popullata në zonë.
Pas më shumë se katër javë bombardimesh ajrore të NATO-s, regjimi i kolonel Gaddafit vazhdon të mbijetojë dhe kryengritësit që kërkojnë përmbysjen e tij, shumë pak kanë përparuar drejt Tripolit.
Sulmi i besnikëve të liderit libian mbi qytetin e Misratës, ku të dielën u vranë edhe 6 civilë të tjerë, ka shtuar presionin mbi liderët perëndimorë për të intensifikuar ndërhyrjen e tyre.
“Duhet të pyesim veten çfarë mund të bëjmë më shumë për të mbrojtur jetët e civilëve e për të ndaluar makinerinë e luftës së Gedafit të lëshojë një ferr të tillë mbi njerëzit e vet. Po shohim gjithë çfarë po ndodh atje dhe çfarë ne mund të bëjmë më shumë”, tha Cameron.
Qindra civilë janë larguar ditët e fundit nga Misrata, qyteti kryesor në perëndim të vendit që kontrollohet nga rebelët.
Një ditë më parë, rreth 100 plagosur u larguan prej andej dhe u dërguan në Tunizi me një anije të organizatës humanitare “Medecins Sans Frontieres”.
Që nga fundi i shkurtit, kur filloi rrethimi i Misratës, 300 civilë besohet të jenë vrarë e mbi 1 mijë të tjerë janë plagosur.
Forcat qeveritare kanë përdorur atje edhe artilerinë e rëndë dhe snajperët, por zëdhënësi i Gedafit në Tripoli, Mussa Ibrahim, mohoi njoftimet se gjatë mësymjes janë hedhur edhe bomba thërrmuese, të ndaluara nga konventa e Dublinit në maj të 2008-s.